Inxhinieri Romeo Nazarko, i ftuar në studion e News24, ka ngritur shqetësime serioze mbi gjendjen e rrugëve në Shqipëri pas reshjeve të fundit, duke vënë në fokus veçanërisht veprimtarinë e Ministrisë së Infrastrukturës nën drejtimin e Belinda Ballukut.

Nazarko u ndal te rruga Qukës-Qafë Plloçë, e inauguruar nga ministrja Balluku dhe me një kosto të deklaruar prej rreth 260 milionë eurosh, e cila ditët e fundit u bllokua plotësisht pasi inertet dhe dherat u shembën mbi trase, duke ndërprerë qarkullimin.

Sipas tij, rruga është formalisht e kolauduar, por mbetet dyshimi nëse kolaudimi ka qenë real apo thjesht fiktiv në letër. “Pyetja është nëse kolaudimi ishte faktik, pra është parë nga inxhinierët, apo është bërë vetëm në letra. Në fund të një vepre nuk mund të shohësh çfarë hekuri është përdorur apo sasinë, ndaj kërkohet mbikëqyrje e vazhdueshme gjatë ndërtimit,” u shpreh Nazarko.

Ai theksoi se rasti i Qukës-Qafë Plloçës tregon për një zinxhir problemesh që nis nga projekti e deri te zbatimi dhe kolaudimi. “Kemi projekt fiktiv dhe zbatim fiktiv. Në Shqipëri janë vetëm 4-5 kompani që marrin rrugët, por teknikisht nuk i mbulojnë dot me burime dhe ia japin me nënkontrakt kompani të tjera që nuk kanë asnjë përgjegjësi për veprën,” tha inxhinieri.

Nazarko foli edhe për gabime të rënda gjeologjike në këtë segment. “Duhet të ishin bërë shpime për të parë qëndrueshmërinë e tokës. Këtu nis gabimi i parë, pastaj vijnë gabimet e projektit dhe në fund kolaudimi, ku inxhinieri duhet ta kthejë veprën nëse nuk është bërë si duhet,” theksoi ai.

Duke iu referuar vëzhgimeve të tij në terren, Nazarko tha se kishte konstatuar disa pika alarmante përgjatë rrugës. “Kam kaluar 2-3 herë në atë segment dhe kam parë të paktën pesë zona alarmi. Kishte rrëshqitje në skarpate dhe në disa pjesë ato ishin shumë pranë rrugës. Ishte e qartë që me rritjen e peshës së tokës do të ndodhte shembja. Kjo ndodhi me shiun e parë, por nuk do të thotë se këtu mbaron,” paralajmëroi ai.

Në fund, inxhinieri hodhi dyshime edhe mbi realitetin e investimit. “Duhet të jemi të lumtur nëse gjysma e 260 milionë eurove që thuhet se janë hedhur për atë rrugë, vërtet janë shpenzuar aty,” u shpreh Nazarko, duke nënkuptuar abuzime serioze me fondet publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb