Banorët e fshatit Luz, së bashku me disa biznese të zonës, janë hedhur një protestë, në shenjë reagimi ndaj gjendjes së rënduar të rrugës që kalon përmes fshatit dhe e lidh atë me autostradën dhe pjesën tjetër të vendit. Ky segment rrugor është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit të Fushë-Krujës dhe, sipas banorëve, prej vitesh është degraduar plotësisht, pasi në të qarkullojnë vazhdimisht mjete të rënda që i shërbejnë fabrikës së çimentos, guroreve dhe aktiviteteve të tjera industriale.
Banorët shprehen se kanë paraqitur ankesa të vazhdueshme dhe se të gjitha institucionet përkatëse janë në dijeni të situatës. Madje, sipas tyre, u është premtuar se rruga do të rikonstruktohej dhe do të kthehej në gjendje normale që në muajin tetor, por deri më sot nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.
Ata kërkojnë rikonstruksionin e plotë të rrugës dhe ndalimin e qarkullimit të kamionëve me tonazh të lartë, pasi kjo situatë përbën rrezik serioz për jetën e banorëve dhe veçanërisht për rreth 150 fëmijë të shkollës “Gjon Luka”, e cila ndodhet ngjitur me rrugën. Sipas tyre, trotuaret janë të ngushta dhe lëvizja e nxënësve është tejet e rrezikshme.
“Jemi rreth 1 000 banorë që jetojmë përgjatë kësaj rruge. Në verë jemi të detyruar të mbajmë dyert dhe dritaret mbyllur për shkak të pluhurit, ndërsa në dimër na futet balta dhe akulli nëpër shtëpi. Çdo ditë kalojmë me frikë në trotuare për shkak të kamionëve”, shprehen banorët. Protestuesit i bëjnë thirrje shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht dhe të marrin masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.
