Tirana priti me sukses Ministerialin e rëndësishëm në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian “RRUGA JONË PËR NË BE”. Ministeriali mblodhi së bashku ministra dhe përfaqësues të lartë nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.
Ministeriali u hap nga Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, së bashku me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, Gert-Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerim, dhe Emmanuel Giauffret, Zv. Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprimin e Jashtëm.
Në Ministerial morën pjesë ministrat përgjegjës për integrimin evropian, tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, organizatave të bashkëpunimit rajonal dhe partnerëve të zhvillimit, përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), Bankën Evropian për Rindërtim e Zhvillim (EBRD) dhe Bankën Botërore (BB).

Diskutimet u fokusuan në progresin e nismave me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset. Një arritje kyçe e theksuar ishte nisma për regjimin e reduktuar të tarifave “Roaming” për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke synuar modelin e Bashkimit Evropian (“Roam Like at Home”).
Në fokus të bisedimeve ishin edhe pikat strategjike si:
Integrimi Ekonomik: Integrimi i ekonomive të Ballkanit në zinxhirët industrialë të vlerës së BE-së.
Inteligjenca Artificiale (AI): Zhvillimi i ekosistemit të Inteligjencës Artificiale në rajon.
Zonat e Pagesave: Zbatimi i Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) për lehtësimin e kostos dhe kohës së pagesave bankare.
Transporti dhe Tregtia: Lehtësimi i transportit dhe tregtisë, përfshirë projektet për modernizimin e pikave kufitare dhe zgjerimin e Korsive të Gjelbra brenda rajonit dhe me vendet anëtare kufitare të BE-së.
Reformat: Përparimi me Agjendat e Reformave Ekonomike dhe të Shtetit të së Drejtës, si pjesë e Planit të Rritjes.
Tregu i Përbashkët: Integrimi i mëtejshëm në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe forcimi i Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor.
Ministeriali rikonfirmoi angazhimin e palëve për të përshpejtuar reformat dhe bashkëpunimin rajonal, si hapa thelbësorë në drejtim të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
