TIRANË

Pas njoftimit të bërë sot nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë për anulimin e projektit të rrugës Thumanë-Kashar, ka ardhur një tjetër reagim nga ana e Partisë Demokratike.

Deputetja Jorida Tabaku përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” shkruan se shifrat janë kokëforta dhe tregojnë se pakti për Universitetin i lançuar nga Rama do të marrë zero lekë.

Tabaku teksa citon qeverinë se paratë e projektit të rrugës së mësipërme do shkojnë për paktin për universitetin, bën pyetjen se deri tani cilat fonde nga buxheti ishin destinuar për këtë rrugë.

“Shifrat janë kokëforta, 0 Lekë për paktin për universitetin këtë vit? Sot, qeveria pretendoi se fondin e parave që do të përdorte nga buxheti i shtetit për Rrugën Thumanë-Kashar do t’ia kalonte fondit për Universitetin.

Pyetja është se cilat fonde nga buxheti i shtetit ishin destinuar për këtë rrugë? Sipas projektbuxhetit fondi për kontratën e rrugës në fjalë është 0 lekë dhe disbursimi i saj nis vitin e ardhshëm (pra 2020). Po të njëjtat shifra dhe fakte dëshmojnë që kostot e asaj rruge ishin 20 mln euro për kilometër, pagesa që do të nisnin ditë e parë të vitit 2020 dhe jo këtë vit.

Për rrjedhojë nuk ka asnjë fond shtesë për universitetet që mund të shkojë nga ky zë në buxhet. Pasi në fakt nuk ka asnjë zë në buxhet që të trajtojë këtë pagesë për këtë rrugë për vitin aktual.

Gjithsesi ka një zgjidhje tjetër. E ftoj kryeministrin të anulojë tenderin korruptiv të inceneratorëve per te cilen me nje interpelance askush nga qeveria nuk arriti te me ktheje pergjigje per abuzimin dhe vjedhjen. Sipas të dhënave të buxhetit vlera që qeveria do të disbursojë nga buxheti i këtij viti për inceneratorët është mbi 34 milionë euro. Atëherë përse kryeministri nuk anulon këtë koncesion që është po aq korruptiv për t’ia dhënë këtë shumë buxhetit për universitetin?”, shkruan Tabaku.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb