Një kolonë prej nëntë kamionësh u nis të premten nga provinca Xinjiang e Kinës veriperëndimore për në qytetin rus të Novosibirsk për të marrë pjesë në një provë të një autostrade ambicioze ndërkombëtare.
Është një rrugë kyçe në një korridor më të gjerë ekonomik të parashikuar nga Kina, Mongolia dhe Rusia, sipas mediave shtetërore kineze.
Kamionët u larguan nga qyteti Urumqi në provincën Xinjiang dhe do të mbërrijnë në Novosibirsk, qyteti i tretë më i madh i Rusisë, pasi përshkuan një distancë prej 2250 kilometrash në një udhëtim gjashtë-ditor nëpër Mongoli.
Autostrada e Azisë 4 ( AH4) është autostrada e dytë ndërkombëtare që lidh Kinën, Mongolinë dhe Rusinë. Është gjithashtu pjesë e një projekti ambicioz për të zgjeruar tregtinë në energji dhe burime natyrore përtej Kinës dhe Rusisë dhe përfshirjen e Mongolisë në një pakt trepalësh për të krijuar një model të ri bashkëpunimi rajonal.
Rreth 577 km e autostradës AH4 është në Kinë, ndërsa 758 km e autostradës është në Mongoli dhe 918 km në Rusi. AH4 do të luajë një rol “qëndror” në formësimin e Korridorit Ekonomik Kinë-Mongoli-Rusi, tha një zyrtar i Ministrisë së Transportit kinez në ceremoninë e hapjes në Urumqi.
Mongolia ka zgjeruar lidhjet e saj me Kinën dhe Rusinë, veçanërisht pasi kufiri i Kinës u rihap këtë vit pas heqjes së kufizimeve të COVID-19, duke përfituar nga pozicioni i saj gjeografik si një qendër transporti për rajonin.
Kina dhe Rusia po forcojnë lidhjet ndërkufitare me bazë tokësore në Lindjen e Largët Ruse, si dhe thellë në zemrën e Euroazisë, ndërsa lidhjet e tyre tregtare zgjerohen.