Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga “Foltorja e dytë” e ngritur para Kryeministrisë, lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, duke i cilësuar tenderimet dhe prokurimet e saj si megaafera korruptive.
Berisha deklaroi se “rrugët e Lubi Ballukut po shemben njëra pas tjetrës”, ndërsa vlerat e projekteve publike janë rritur disa herë me qëllime përfitimi dhe punimet, sipas tij, janë kryer pa asnjë standard cilësie.
Ai kujtoi se në kohën e qeverisjes së PD-së, rrugët ndërtoheshin me cilësi më të lartë dhe skarpatat nuk shembeshin si ato që po ndodhin sot në projektet e administruara nga Balluku. Kreu i opozitës solli në vëmendje edhe çështjen e inceneratorëve, duke theksuar se “janë vjedhur 450 milionë euro në shtatë vjet, pa djegur asgjë përveç parave të shqiptarëve”, ndërsa AKSH-në e quajti “kopsht privat të kryeministrit”.
“Kanë vjedhur 50 milionë euro te tuneli i Llogarasë, por e vërteta është mbi 90 milionë. Por kjo shumë është shumë më pak se një e qinta apo e dyqinta e asaj që kanë vjedhur këta hajdutë të pafytyrë. Jemi i vetmi vend në botë që brenda shtatë vitesh janë shpenzuar mbi 400 milionë euro për djegësit e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, dhe asnjëri nuk ekziston. I Tiranës nuk ka asnjë tullë, sepse i ka vjedhur Rama me Veliajn. AKSH-i është kopshti i Edi Ramës, baxhanaku i tij ka vjedhur miliona euro dhe s’i ka ndodhur asgjë, vazhdon të vjedhë,” tha Berisha përpara mbështetësve.
Ai akuzoi më tej Ballukun për ndarjen e Unazës së Madhe në 14 lote për vetëm 13 kilometra, duke rritur ndjeshëm koston e projektit. Sipas tij, preventivi aktual prej 20–22 milionë eurosh për kilometër është disa herë më i lartë se ai gjatë qeverisjes së PD-së, kur rrugët ndërtroheshin me rreth 3.8 milionë euro për kilometër.
“Unaza e Madhe është ndarë në 14 lote, dhe Lubi Balluku me Ramën e çuan koston totale në 450 milionë euro. Ndërsa segmenti deri te Teknologjiku që ndërtuam ne, kushtoi vetëm 3.8 milionë euro për kilometër. Çila qeveri ndan 13 kilometra në 14 lote? Vetëm një që kërkon të vjedhë sa më shumë,” u shpreh Berisha.
Në përfundim, ai komentoi gjendjen e rrugëve në vend, duke thënë se shembjet e vazhdueshme janë pasojë e punimeve të dobëta dhe abuzimeve me fondet publike.
“Pse prishen skarpatat e rrugëve, si ato të Tepelenës apo të Qukësit? Sepse janë të rrëshqitshme dhe të ndërtuara pa kriter. Shikoni rrugët e tjera, krahasojini. Kurse rrugët e Lubi Ballukut po shemben njëra pas tjetrës. Skarpatat janë më të rëndësishme se vetë rruga. Sot kanë katërfishuar edhe çmimet,” përfundoi Berisha.
