Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka kritikuar menaxhimin e fondeve publike për investimet në infrastrukturë gjatë një takimi me ekspertët e Departamentit të Infrastrukturës.

Në fjalën e tij, Teliti krahasoi fondet aktuale të investimeve me ato të periudhës së qeverisjes së Sali Berisha, duke pretenduar se miliardat e eurove të shpenzuara vitet e fundit nuk kanë prodhuar projekte të qëndrueshme për ekonominë dhe shoqërinë.

Ai akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për keqmenaxhim dhe korrupsion në tendera, ndërsa përmendi edhe projekte infrastrukturore të papërfunduara apo të anuluara, përfshirë zhvillimet e fundit që lidhen me portin e Durrës.

Fjala e plotë:

2026 aktualisht është 1.7 miliardë euro fond investimeve. 3.2 miliardë euro është afërsisht fondi i investimeve që kishte Sali Berisha në tetë vjet qeverisje në dispozicion. Dhe bëri rrugë, bëri ujësjellësa, bëri shkolla, bëri spitale. Tani më thoni ju që jeni ekspertë të fushës, 3.2 miliardë euro vjet dhe sivjet, një projekt të vetëm i cili do lë gjurmë në këtë shoqëri dhe këtë ekonomi që ne kemi. Gjurma e vetme që është lënë, është gjurma e babëzisë dhe e vjedhjes, ku paret e buxhetit të vidhen, që ku janë paret e shqiptarëve. Shkërmoqen rrugët nga shiu, sikur shkërmoqen ato lodrat e fëmijëve.

Ndërkohë as rrugët e Ahmet Zogut, as rruga e diktatorit Hoxha, as rrugët e ndërtuara gjithë këto vite në demokraci, ku pjesa dërrmuese janë ndërtuar nga qeverisja e Sali Berishës, asnjëra prej tyre s’ka lëvizur një centimetër të vetëm. Ndërkohë, rrugët e ndërtuara këto vite, gjoja rrugët e ndërtuara, se realisht janë tendera të kryera dhe asfalt i hedhur keq, shkërmoqen në shiun e parë i cili bie duke nxjerrë lakuriq në sytë e shqiptarëve, ju ekspertëve po e po, cilësinë e dobët të punimeve, por sidomos vjedhjen në kurriz të popullit më të varfër të Ballkanit dhe të Europës.

Miqtë e mi, një projekt i vetëm nuk është i përfunduar gjithë këto vite. Ndonëse miliardat e eurove janë derdhur lumë. Të gjithë këto projekte kanë një, një fat të vetëm, po t’i shohësh. Inaugurohen me tantame, shtyhen projektet me vonesa disavjeçare, na dalin gjoja disa problematika për të firmosur kontrata shtesë prej qindra milionë eurosh dhe në fund të fundit fare, as rrugë nuk kemi, as ujësjellësa nuk kemi, as port tashmë nuk kemi, siç u anulua dy ditë më parë porti i Durrësit, në i ri në portin Romano. Aeroporti i Kukësit tashmë po na është kthyer, i cili, mbani mend, në zgjedhjet e 2021-shit, na uli avionin me shqiptarët në Anglia, sot po kthehet në park fotovoltaik.

Kemi Shqipërinë e cila lundron në ujë, po ujin që e zbaton nuk e kemi. Kemi spitale që jo thjesht nuk kanë godina, por nuk kanë as ilaçe, se në vend që të çojnë paret te njerëzit, te nevojtarët, i çuan te tenderat e shumëfishuar deri në 10 herë koston e tyre, dhe praktikisht, të gjitha këto janë bërë pa u dridhur fare qerpiku dhe sytë e publikut me të gjithë ato tenderat e tyre pa garë. Tendera pa garë, të cilat po marrin në qafë dhe kanë marrë në qafë ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve. Kemi cikël i cili është ndërtuar dhe është ngritur tashmë, edhe është i mirë strukturuar nga ana e mazhorancës qeverisëse, dhe ishte ky modeli i Ballukut që ka dalë tashmë. Ndërto keq, hidh pare prapë, prishet përsëri, tendero, dhe të gjitha këto bëji me tendera përsëri pa garë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb