Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publik, EBU, Noel Curran këtë të enjte vizitoi Radio Televizionin Shqiptar duke shënuar një moment të rëndësishëm për fillimin zyrtar të reformës institucionale.
Curran u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili, ndërsa vizita e tij u shoqërua me një takim të rëndësishëm me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë këtij takimi, kryeministrit iu prezantua dhe raporti 60 faqesh i përgatitur nga grupi i ekspertëve të EBU dedikuar RTSH.
Pas njohjes me gjetjet e këtij raporti dhe planit të veprimit, kryeministri shprehu mbështetjen e tij për nisjen e reformës institucionale të RTSH dhe për procesin e transformimit të transmetuesit publik në një institucion modern, të qëndrueshëm dhe në shërbim të publikut.
Kjo vizitë përbën një moment të rëndësishëm për RTSH dhe një mesazh të qartë të mbështetjes së EBU për procesin e reformës në RTSH dhe vjen pas misionit të Shërbimeve Transformuese në datat 18-20 nëntor 2025, ku përgjatë 3 ditëve pune grupi i ekspertëve punoi ngushtësisht me stafin e RTSH për të hartuar një raport diagnozë të institucionit.
Bashkëpunimi i ngushtë me EBU shënon fillimin e një faze të re reforme për Radio Televizionin Shqiptar, me synimin për të forcuar rolin e tij si një transmetues publik i besueshëm, i pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.
