Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha të mërkurën se asnjë nga vendet e G7-ës nuk e ngriti çështjen e Venezuelës gjatë samitit të tyre në Kanada.

“Askush nuk foli për këtë”, u tha Rubio gazetarëve pas bisedimeve dy-ditore në Ontario. Ai gjithashtu e mohoi, duke e quajtur “të rreme”, një raport të CNN-së se Britania, një aleate e ngushtë e SHBA-së, kishte vendosur të pezullonte ndarjen e informacionit mbi vendndodhjet e anijeve të dyshuara për trafik droge, sepse nuk donte të shihej si bashkëpunëtore në sulmet ajrore vdekjeprurëse të SHBA-së që nga fillimi i shtatorit.

Në të njëjtën kohë, kreu i diplomacisë amerikane shprehu optimizëm në lidhje me miratimin nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të një projektrezolute mbi forcën ndërkombëtare të stabilizimit (ISS) që Uashingtoni kërkon të vendosë në të ardhmen e afërt në Rripin e Gazës.

“Jemi optimistë (…) Kemi bërë përparim në formulimin e rezolutës dhe shpresoj se do ta finalizojmë atë shumë shpejt”, u tha Rubio gazetarëve pas takimit dy-ditor të ministrave të jashtëm të G7 në Kanada.

“Këtë javë në G7 në Kanada, po merremi me paqen dhe sigurinë globale, energjinë dhe mineralet kritike. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, ne vazhdojmë të përparojmë interesat e SHBA-së”, shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së në një postim në X.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb