Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin bolivian Rodrigo Paz, gjatë së cilës premtoi rritjen e mbështetjes amerikane për përballimin e pasojave të protestave masive dhe bllokimeve të rrugëve që kanë paralizuar pjesën më të madhe të vendit.
Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, të publikuar nga zëdhënësi Tommy Pigott, Uashingtoni do të “rrisë ndihmën emergjente dhe mbështetjen logjistike për Bolivinë”, duke theksuar njëkohësisht mbështetjen e tij për demokracinë dhe institucionet e vendit.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara riafirmojnë “angazhimin e tyre të palëkundur për të mbështetur demokracinë boliviane dhe qeverinë e Presidentit Paz në rindërtimin e vendit pas njëzet vitesh politikash socialiste të dështuara”.
Bolivia po përballet me një krizë të rëndë politike dhe ekonomike, ndërsa protestat dhe bllokimet e rrugëve vazhdojnë prej më shumë se një muaji. Fillimisht, fermerët, minatorët, transportuesit, punëtorët dhe mësuesit kërkuan masa për të adresuar krizën ekonomike, e konsideruar si më e rënda në katër dekadat e fundit. Megjithatë, kërkesat e protestuesve janë përshkallëzuar dhe tashmë përfshijnë dorëheqjen e presidentit të qendrës së djathtë, Rodrigo Paz.
Diplomacia amerikane ka deklaruar se “bllokimet e paligjshme të rrugëve synojnë destabilizimin e shoqërisë boliviane”, duke shprehur shqetësim për situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve në vend.
