Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi mbrëmë se plani i ri për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë – i bërë publik këtë javë – është hartuar plotësisht nga Shtetet e Bashkuara dhe nuk pasqyron thjesht kërkesat e Rusisë, siç pretenduan disa senatorë amerikanë.

Rubio, i cili pritet sot në Gjenevë për bisedime me zyrtarë evropianë dhe ukrainas, kundërshtoi komentet e tre senatorëve që thanë se dokumenti mbështet kërkesat kryesore të Moskës. “Propozimi i paqes u hartua nga Shtetet e Bashkuara”, shkroi Rubio në platformën X, duke theksuar se teksti “ofron një kornizë të fortë për negociatat e vazhdueshme” dhe përfshin elementë të propozuar si nga pala ruse, ashtu edhe nga Ukraina.

Tre senatorët – republikani Mike Rounds, i pavaruri Angus King dhe demokratja Jeanne Shaheen – vunë në dyshim autorësinë amerikane të planit, duke thënë se Rubio u kishte sugjeruar se dokumenti ishte vetëm një pikënisje për bisedime dhe se përfshinte një “listë dëshirash ruse”. Sipas Rounds, Rubio u shpjegoi më pas se ata “kishin marrë një propozim të dërguar nga një përfaqësues amerikan”, por se ai “nuk ishte rekomandimi ose plani zyrtar i SHBA-së”.

Rubio udhëton në Gjenevë së bashku me të dërguarin diplomatik të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, për bisedime me palën ukrainase dhe atë evropiane, të cilat kanë shprehur shqetësim lidhur me planin 28-pikësh.

Dokumenti, i publikuar në media të ndryshme, përfshirë AFP, përfshin disa nga kërkesat kryesore të Moskës: dorëzimin e territoreve ukrainase, zvogëlimin e ushtrisë së Ukrainës dhe heqjen dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO. Ai parashikon gjithashtu garanci sigurie perëndimore për Kievin, me qëllim shmangien e një sulmi të ri rus.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky afat deri më 27 nëntor, Ditën e Falënderimeve, për t’iu përgjigjur propozimit. Megjithatë, dje ai u shpreh prerazi se plani nuk përfaqëson “ofertën e fundit” nga Uashingtoni, duke nënvizuar se SHBA-të “po përpiqen t’i japin fund” konfliktit që nisi me pushtimin rus të 24 shkurtit 2022.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb