Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka sugjeruar se “angazhimi” i vendit të tij është ajo që e shtyu Izraelin të lejojë një sasi të kufizuar ndihme në Gaza pas një bllokade disamujore ndaj ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera bazë.
Në një seancë dëgjimore të komisionit të Senatit të martën, demokrati Jeff Merkley i bëri presion Rubios, një republikan, në lidhje me qëndrimin e tij ndaj bllokadës së Izraelit, e cila nxiti frikën e një zie të menjëhershme në territorin palestinez.
Sekretari i shtetit u përgjigj se SHBA-të janë të lumtura që ndihma humanitare fillon të hyjë në territor.
“Në fund të fundit, nuk mendoj se do t’i kishit parë ngjarjet e dy ditëve të fundit pa angazhimin tonë dhe angazhimin e të tjerëve”, tha Rubio.
Izraeli lejoi disa kamionë me ndihma të hynin në Gaza të hënën, dhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se rreth 100 të tjerë u lejuan të arrinin në territor të martën.
Por kjo sasi përfaqëson ende një pjesë të vogël të nevojave ditore të popullsisë së Gazës, e cila numëron mbi 2.1 milionë njerëz .
“Izraeli mbetet një aleat i fortë. Ne jemi mbështetës”, vazhdoi Rubio. “Ne e kuptojmë pse për sigurinë e tyre Hamasi nuk mund të ekzistojë. Jemi gjithashtu shumë të lumtur që ata kanë lejuar që ndihma të fillojë të rrjedhë dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë.”
Disa vende perëndimore, përfshirë partnerë të ngushtë të Izraelit, kohët e fundit kanë kritikuar rrethimin izraelit të Gazës. Të hënën, udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë thanë në një deklaratë të përbashkët se ishin “të tmerruar” nga përshkallëzimet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe bllokada e tij ndaj ndihmës humanitare.
Ata kërcënuan të ndërmarrin “veprime konkrete” si sanksione nëse Izraeli do të vazhdonte të zgjeronte sulmin e tij ushtarak.
Ndërkohë, administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka mbetur fuqimisht pro-Izraelit, por ekspertët thonë se lëvizjet e fundit nga Shtëpia e Bardhë sinjalizojnë një hendek në rritje midis SHBA-së dhe Izraelit.
Për shembull, Trump nuk e përfshiu Izraelin si ndalesë në udhëtimin e tij të fundit në Lindjen e Mesme . Ai gjithashtu ka nisur bisedime diplomatike me Iranin dhe ka shpallur një armëpushim me grupin Huthi të Jemenit – të dy kundërshtarë të Izraelit në rajon.
Huthitët, për shembull, vazhdojnë të lëshojnë raketa dhe dronë drejt Izraelit në një shfaqje mbështetjeje për palestinezët në Gaza.
Megjithatë, gjatë tre muajve të fundit, SHBA-të kanë refuzuar të kritikojnë drejtpërdrejt vendimin e Izraelit për të parandaluar mbërritjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza.
Por javën e kaluar, në një ndalesë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Trump tregoi se donte që situata në Gaza të “zgjidhej”.
«Shumë njerëz po vdesin urie. Po ndodhin shumë gjëra të këqija», tha ai.
Gjithashtu javën e kaluar, në një intervistë me BBC-në, Rubio tha se ishte “i shqetësuar” nga kriza humanitare në Gaza.
Shefi i ndihmës humanitare i OKB-së, Tom Fletcher, tha gjithashtu të martën se deri në 14,000 fëmijë në Gaza janë në rrezik të vdesin në 48 orët e ardhshme nëse nuk u arrin ushqimi.
Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime të mundshme lufte në Gaza, përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte.
Të dielën, Netanyahu tha se Izraeli do të lejonte vetëm një “sasi bazë ushqimi” në territorin palestinez për të shmangur presionin ndërkombëtar.
“Miqtë tanë më të mirë në botë – senatorë që unë i njoh si mbështetës të fortë të Izraelit – kanë paralajmëruar se nuk mund të na mbështesin nëse shfaqen imazhe të urisë masive”, tha ai, sipas botimit Haaretz.
Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës tha të martën se të paktën 58 palestinezë kanë vdekur nga kequshqyerja gjatë 80 ditëve të fundit.
Në seancën dëgjimore të Senatit të së martës, Rubio duket se pranoi se palestinezëve në Gaza u duhet të arrijnë më shumë ndihma.
«E kuptoj pikëpamjen tënde se nuk është në sasi të mjaftueshme», i tha Rubio Merkley-t. «Por ne u kënaqëm që pamë se ky vendim u mor».
(A.A/BalkanWeb)
