Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e quajti “shqetësues” një raport nga pesë aleatë evropianë që fajësojnë Rusinë për vrasjen e kritikut të ndjerë të Kremlinit, Alexei Navalny, duke përdorur toksinë nga bretkosat helmuese, duke shtuar se Uashingtoni nuk kishte arsye ta vinte në dyshim atë.

“Ne padyshim jemi në dijeni të raportit. Është një raport shqetësues. Ne jemi në dijeni të rastit të z. Navalny dhe sigurisht… nuk kemi asnjë arsye ta vëmë në dyshim”, u tha Rubio gazetarëve në një konferencë për shtyp në Brastislava gjatë një vizite në Sllovaki.

Në një deklaratë të përbashkët, Britania, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda thanë të shtunën se analizat e mostrave nga trupi i Navalny-t konfirmuan “përfundimisht” praninë e epibatidinës, një toksinë që gjendet te bretkosat helmuese në Amerikën e Jugut dhe që nuk gjendet natyrshëm në Rusi.

Qeveria ruse, e cila ka mohuar vazhdimisht çdo përgjegjësi për vdekjen e Navalny-t ndërsa ai mbahej në një koloni penale në Arktik dy vjet më parë, i hodhi poshtë akuzat e fundit si “një mashtrim propagande perëndimore”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Rusisë TASS.

Kur u pyet pse Shtetet e Bashkuara nuk iu bashkuan deklaratës, Rubio tha se kjo ishte një përpjekje e tyre.

“Ato vende arritën në atë përfundim. Ata e koordinuan këtë. Ne zgjodhëm – nuk do të thotë që nuk jemi dakord me rezultatin. Ne thjesht, nuk ishte përpjekja jonë. Ndonjëherë vendet dalin dhe bëjnë punën e tyre bazuar në inteligjencën që kanë mbledhur.” tha Rubio.

“Ne nuk po debatojmë ose nuk po hyjmë në një luftë me këto vende për këtë. Por ishte raporti i tyre dhe ata e nxorën atë publikisht”, shtoi ai.

Udhëheqësi i opozitës ruse Navalny vdiq në një koloni burgu në Arktik në shkurt të vitit 2024, pasi u dënua për ekstremizëm dhe akuza të tjera, të cilat ai i mohoi të gjitha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb