Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi të hënën se Uashingtoni nuk e konsideron sulmin izraelit të së shtunës, një shkelje të armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja.
Izraeli tha se goditi një anëtar të grupit Xhihad Islamik të shtunën, duke e akuzuar atë për komplotimin e një sulmi ndaj ushtarëve izraelitë. Xhihadi Islamik mohoi se po planifikonte një sulm. Duke folur nga Air Force One, Rubio tha: “Ne nuk e konsiderojmë këtë një shkelje të armëpushimit.”. Rubio shtoi se Izraeli nuk ka hequr dorë nga e drejta e tij për vetëmbrojtje sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, sipas së cilës grupi më i madh i armatosur në Gaza, Hamasi, liroi pengjet e mbetura të mbajtura në Gaza këtë muaj.
“Ata e kanë këtë të drejtë nëse ekziston një kërcënim i menjëhershëm për Izraelin dhe të gjithë negociatorët bien dakord për këtë,” tha Rubio.
Sekretari i SHBA-së tha se armëpushimi në Gaza, i cili mbetet në fuqi midis Izraelit dhe Hamasit dy vjet pas fillimit të luftës, bazohet në detyrime të ndërsjella dhe përsëriti se Hamasi duhet të përshpejtojë kthimin e mbetjeve të pengjeve që vdiqën ndërsa ishin në paraburgim.
Sulmi izraelit i së shtunës ndodhi menjëherë pasi Rubio u largua nga Izraeli pas një vizite që synonte mbështetjen e armëpushimit.
