Rudina Magjistari është bërë nënë për herë të parë. Ditën e enjte, ajo ka sjellë në jetë vajzën e saj, të cilën e ka pagëzuar me emrin Mia. Lajmin e ka bërë të ditur vetë moderatorja në profilin e saj në “Facebook”, ku shkruan: “Jemi të lumtur të ndajmë gëzimin tonë me ju sot. Para katër orësh lindi Mia, engjëlli që na mbushi jetën plot. Rudina dhe Xhavit”, ka shkruar moderatorja në rrjetet sociale. Ditën e djeshme ajo ka postuar një tjetër status ku ka falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë duke u shprehur se një fazë e re fillon tashmë në jetën e saj si nënë.
“Sa shumë mirënjohëse i jam jetës në këto momente! Ndjehem e përmbushur dhe e mbështjellë nga mrekullia e diçkaje sa e pabesueshme, aq edhe e bukur e madhështore, siç është krijimi dhe lindja e një fëmijë. Përvoja e ditës së djeshme do të më mbetet e paharrueshme. Juve miqtë e mi, ju falënderoj pafund për urimet tuaja plot dashuri e që ma bëjnë akoma më speciale ardhjen e Mias në këtë botë. Ndjehem në borxh që s’ju përgjigjem dot një e nga një. Por edhe me fat që ju kam. Mbrëmë mezi më ka zënë gjumi. Është vetëm fillimi i një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Faleminderit Zot!”, ka shkruar Rudina.
Përgjatë gjithë shtatzënisë Rudina ka preferuar të tërhiqet nga jeta publike, duke e shijuar këtë moment larg mediave. Të gjithë kanë qenë shumë kuriozë të shikojmë format e rrumbullakosura të saj, por Rudina dhe partneri saj kanë qëndruar për disa kohë jashtë Shqipërisë. E kontaktuar nga “Bluetooth”, Rudina rrëfen emocionet e para të mëmësisë. “Jam shumë e lumtur, jam femra më e lumtur në botë, nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj gjithë këtë që ndjej. Është një ndjesi që nuk e kisha imagjinuar të tillë dhe vetëm një fëmijë mund të ta japë, është një bekim për ne”, është shprehur e emocionuar Rudina. Ka vendosur që fëmijën e saj të parë ta sjellë në jetë në Tiranë, edhe pse shumë media ishin shprehur se Rudina do të lindte jashtë shtetit.
“Mia erdhi në jetë ditën e enjte, në një spital privatë të kryeqytetit. I gjithë stafi u treguan shumë profesional me mua dhe më duhet t’i falënderoj për këtë. Vendosa ta lindja në Shqipëri vajzën dhe mendoj se kam bërë shumë mirë. Bëra një lindje natyrale dhe gjithçka shkoi mirë fatmirësisht. Si unë dhe vogëlushja gëzojmë shëndet të plotë dhe kjo është më e rëndësishmja”. Tashmë të gjithë sytë e kureshtarëve do jenë të drejtuar nga vogëlushja e prezantueses së “Takimi i Pasdites”, megjithatë Rudina na thotë se do të përpiqet ta mbajë sa më larg fokusit mediatik, ashtu si bëri edhe me gjithë shtatzëninë.
“Është shumë e vogël për ta përfshirë në tregun mediatik. Unë do të përpiqem ta mbaj sa më larg të gjithë kësaj bote. Kur Mia të rritet dhe të jetë e aftë të marrë vendimet e saj, ajo do ta vendosë vetë nëse do të dalë në media apo jo. Unë do të dëshiroja të qëndronte larg interesit të medias”, shprehet ikona e televizionit. Me ardhjen në jetë të Mias, Rudina do ti rikthehet projekteve të saj televizive.
“Në mesin e janarit do të rikthehem në ekran për të vijuar me projektet e lëna përgjysmë”, ka përfunduar kështu moderatorja e mirënjohur prononcimin e saj për “Bluetooth”. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë Mias jetë të gjatë dhe plot shëndet.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
