Drejtësia e Arizonës ka paditur 18 persona për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në favor të Donald Trump, njoftoi sot Prokurori i Përgjithshëm i këtij shteti amerikan.

Në mesin e këtyre 18 personave është Rudy Giuliani, ish-avokati personal i Trump dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, siç u konfirmua nga zëdhënësi i tij Ted Goodman.

Aktakuza pretendon një komplot për t’i dhënë fitoren Trump, megjithëse Biden fitoi Arizonën në 2020 me një diferencë të ngushtë.

Të pandehurit dyshohet se lobuan në Bordin e Mbikëqyrësve të Qarkut Maricopa, Dhomën e Përfaqësuesve të Arizonës dhe Senatin e Arizonës, si dhe guvernatorin e atëhershëm Doug Ducey për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Prokurori i Përgjithshëm i Arizonës, një shtet kyç për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, tha se janë ngritur akuza kundër 11 zyrtarëve lokalë republikanë, të cilët thanë se ishin votues të Trumpit, si dhe shtatë personave të tjerë nga jashtë shtetit.

Sipas Washington Post, mes këtyre shtatë personave janë ish-shefi i kabinetit të Trump, Mark Meadows, avokatët Gina Ellis dhe John Eastman, këshilltari republikan i fushatës Boris Epstein, si dhe Giuliani.

Trump nuk është akuzuar, por është përmendur në aktakuzë si një nga komplotistët.

Biden fitoi këtë shtet jugperëndimor me pak më shumë se 10,000 vota ndaj Trump, por shumë zyrtarë të partisë republikane kanë folur, pa paraqitur prova, për mashtrim.

Pavarësisht humbjes së Trump në Arizona, përfaqësuesit e tij nënshkruan dokumente që vërtetojnë fitoren e tij. Pas Michigan, Georgia dhe Nevada, Arizona është shteti i katërt që ndjek penalisht njerëzit që u përpoqën të krijonin një listë zgjedhore alternative.

Meadows, Giuliani, Ellis dhe Eastman janë gjithashtu të akuzuar në Gjeorgji për një rast të ngjashëm, ku drejtësia e këtij shteti ka ngritur akuza edhe ndaj Trump.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb