Në rast fitoreje në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, George Simion ka deklaruar se Rumania do të ndjekë “të njëjtën linjë në politikën e jashtme si Italia” dhe “të njëjtën strategji si Giorgia Meloni”. Këtë e ka thënë vetë Simion në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”, duke kujtuar se fitorja e tij në raundin e parë ishte e papritur.

“Askush nuk e priste një sukses të tillë. Është një shenjë se rumunët duan të ndryshojnë qeverinë”, tha lideri i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR). “Do të votoj kundër riarmatimit të Bashkimit Evropian, sepse për qëllime ushtarake kemi NATO-n dhe nuk ka nevojë të krijojmë një aleancë të re ushtarake”, tha Simion.

Sa i përket ndihmave për Ukrainën, ai theksoi se do të varen nga sjellja e autoriteteve të Kievit, pra “nëse ukrainasit do të respektojnë të drejtat e pakicave, sepse kemi gjysmë milioni rumunë atje dhe ata nuk i respektojnë të drejtat e tyre për sa i përket kishës dhe shkollës: do të përpiqemi ta imponojmë këtë ndaj palës ukrainase”. Megjithatë, ai shtoi: “jemi në të njëjtën linjë në dënimin e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës”.

NATO-ja “është jetike për Rumaninë, për Poloninë, për vendet baltike për shkak të Rusisë”, sepse Moska “është një rrezik”. “Por rreziku më i madh është të kemi dy blloqe gjeopolitike të ndara”, vazhdoi Simion, sipas të cilit duhet shmangur që BE dhe SHBA të bëhen “kundërshtarë”. Qëllimi duhet të jetë “të mbajmë të bashkuar botën e lirë, të ruajmë marrëdhëniet transatlantike, pikërisht ashtu siç vepron Giorgia Meloni”, përfundoi lideri i AUR.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb