Kandidati ultranacionalist rumun, George Simion, po prin në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, por nuk ka fituar vota mjaftueshëm sa të shmangë rundin e balotazhit, sipas sondazheve.

Rumania mbajti zgjedhjet presidenciale më 4 maj, pothuajse gjashtë muaj pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale, mes akuzave për ndërhyrje të Rusisë në fushatën zgjedhore.

Simion, 38 vjeç, udhëheqës i Aleancës për Unitetin e Rumunëve (AUR), ka marrë rreth 30-33 për qind të votave në zgjedhjet e 4 majit, sipas dy sondazheve të publikuara me të përfunduar procesi i votimit.

Në të dy sondazhet, Crin Antonescu, anëtar i koalicionit qeverisës të vendit, është renditur i dyti me rreth 23 për qind. Kryetari i Bukureshtit, Nicusor Dan, gjithashtu ka marrë 23 për qind sipas njërit sondazh dhe 20.9 për qind, sipas sondazhit tjetër.

Votimet u përcollën me vëmendje edhe jashtë Rumanisë, pjesërisht për shkak të deklaratave kundërthënëse të Simionit, i cili ka pretenduar territore të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe ka vënë në pikëpyetje ndihmën ushtarake të Rumanisë për Ukrainën.

Ai gjithashtu ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës.

Nëntorin e vitit të kaluar, kandidati nacionalist prorus, Calin Georgescu, që nuk ishte favorit, kori një fitore befasuese në rundin e parë të zgjedhjeve.

Megjithatë, autoritetet anuluan rezultatet për zgjedhjet presidenciale mes akuzave për një fushatë ndikimi nga Rusia që synonte të forconte kandidaturën e tij. Georgescut iu ndalua të garojë në zgjedhjet e reja dhe për votimet e përsëritura të 4 majit autoritetet kanë vendosur një sërë rregullash të reja.

Anulimi i votimeve nxiti kritika jashtë Rumanisë, veçmas nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili gjatë një fjalimi në Konferencën për Sigurinë në Munih në shkurt, akuzoi autoritetet rumune se kishin vepruar “mbi dyshime të dobëta dhe nën presion të madh nga fqinjët kontinentalë”.

Simion ka përqafuar publikisht disa retorika të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe lëvizjes së tij “Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish” (Make America Great Again- MAGA).

Në nëntor, ai publikoi një fotografi ku shfaqej me kapele të kuqe, simbolin karakterizues të Trumpit, me mbishkrimin “Trump Save America” (Trump shpëtoje Amerikën), dhe së fundi ka deklaruar se është “ideologjikisht plotësisht në linjë me lëvizjen MAGA”.

Më 24 prill, autoritetet zgjedhore njoftuan nisjen e një hetimi ndaj partisë politike të Simionit, pas akuzave se kishte shkelur rregullat për financimin e fushatës.

Hetimi është përqendruar në akuzat se Simioni ka organizuar një pagesë prej 1.5 milionë dollarësh për një firmë lobuese në Shtetet e Bashkuara, me qëllim organizimin e takimeve në Uashington me figura të njohura mediatike që mbështesin Trumpin. Simion i ka mohuar akuzat.

Fushata zgjedhore tërhoqi vëzhgues ndërkombëtarë për të monitoruar procesin e votimit. Në një raport paraprak, vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kritikuan disa prej procedurave të regjistrimit dhe të numërimit të votave në Rumani.

Administrata e Trumpit gjithashtu dërgoi një vëzhgues të vetin për zgjedhjet, i pavarur nga OSBE-ja: një zyrtar të lartë nga Komisioni Federal Zgjedhor i SHBA-së, institucioni që mbikëqyr zgjedhjet amerikane.

Ende mbetet e paqartë nëse Simion do të mund të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave për të fituar që në raundin e parë. Nëse jo, atëherë rundi i balotazhit mes dy kandidatëve me më së shumti vota do të mbahet më 18 maj.

Shumica e vëzhguesve besojnë se Simioni do ta ketë të vështirë të fitojë në rundin e dytë, veçmas nëse Dan ose Antonescu arrijnë të sigurojnë një numër të konsiderueshëm votash./ REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb