Një gjykatë ruse ka dënuar me gjashtë vjet burg një bloger 35-vjeçar, i cili në postimet e tij në internet denoncoi pushtimin e Ukrainës.

Nikolai Farafonov u shpall fajtor të mërkurën (27/3) nga një gjykatë ushtarake për “thirrje publike për të kryer akte terroriste”. Sipas aktakuzës, ai kishte postuar “video dhe mesazhe” duke bërë thirrje për djegien e zyrave të rekrutimit.

Gjate dy viteve të luftës në Ukrainë, janë regjistruar dhjetëra sulme me zjarrvënie në zyrat e rekrutimit të Federatës Ruse.

Sipas organizatës joqeveritare Memorial, e cila e përshkruan atë si një “të burgosur politik”, Farafonov kishte një kanal në platformën Telegram përmes të cilit ai kritikoi ashpër sulmin ndaj Ukrainës. Ai iu referua humbjeve të trupave ruse në Ukrainë, shtypjes së opozitës në Rusi, edukimit “patriotik” në shkolla, si dhe teksteve të këqija në rajonin e tij.

Në tetor 2022 ai u gjobit për “diskreditim të ushtrisë” për një koment në internet për vdekjen e fëmijëve në Ukrainë. Megjithatë, Farafonov nuk iu bind dhe vazhdoi të postonte mesazhe kritike ndaj Kremlinit derisa u arrestua shtatorin e kaluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb