Stuhi të forta ere dhe dallgë gjigante që përmbytin edhe autostradat kanë përfshirë Rusinë jugore dhe gadishullin e aneksuar të Krimesë, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë, thanë sot autoritetet lokale.

Sipas informacioneve nga mediat e Krimesë, në Yevpatoria uji hyri deri në bordurat në bregdet, ndërtesat inxhinierike dhe pozicionet e qitjes.

Moti i keq, të cilin mediat ruse e kanë quajtur “stuhia e shekullit” dhe “megastuhi” , ka nisur që dje, të dielën, sipas shërbimeve të shpëtimit.

Megastuhia në Krime dhe rajonin e Krasnodarit vazhdoi gjatë gjithë natës.

Në rajonin e Krasnodarit, ku ndodhen qytetet e Soçit dhe Anapa, të cilat shumë rusë i preferojnë për pushimet e tyre, qindra pemë si dhe struktura të shumta metalike në plazhe u hodhën nga era gjatë natës së kaluar, duke shkaktuar lëndime.

Në Vitiazevë, afër Anapës, stuhia përmbysi një anije të madhe mallrash me flamur Belizean, Blue Shark, sipas të njëjtit burim.

Anija prej 167 metrash u hodh në përplas në breg gjatë “Storma vekës”. Për momentin nuk raportohet për viktima. Në Soçi moti i keq shkaktoi probleme në qarkullimin hekurudhor për shkak të rënies së pemëve në shinat hekurudhore.

Në Novorossiysk, gjithashtu në rajonin e Krasnodarit, Konsorciumi i Gazsjellësit Kaspik tha se kishte pezulluar ngarkimin e naftës dhe dërgoi cisternat e tij në vende më të sigurta për shkak të “kushteve jashtëzakonisht të pafavorshme të motit”.

Në Krime, Deti i Zi përmbyti autostradat, me televizionin rus që shfaq imazhe të valëve që përplasen mbi makinat që përpiqen të kalojnë nëpër ujë.

Rrugët u përmbytën, hekurudhat ranë, 800 kafshë ngordhën në Sevastopol në muze-akuarium.

Guvernatori i Krimesë, Sergei Aksionov, ka njoftuar përmes platformës Telegram se ka shpallur ditën e sotme pushim për shkak të motit të keq.

Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, duke lënë rreth 500,000 njerëz pa energji elektrike në Krime, sipas një këshilltari të Aksionov, Oleg Kryuchkov, cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Në Sevastopol, më shumë se 500 kafshë detare ngordhën kur Akuariumi lokal u përmbyt për shkak të stuhisë, shkroi guvernatori i qytetit Mikhail Razvozaev në Telegram.

Sipas tij, parashikimet e motit nuk janë aspak qetësuese për momentin, pasi sot në Krime priten reshje shiu, bore dhe erëra deri në 30 metra në sekondë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: