Rusët pretendojnë se Ukraina ka bërë përpjekje për të hedhur në erë helikopterin e presidentit rus Vladimir Putin mbi rajonin e Kurskut gjatë javës së kaluar.
Gjeneralmajori i forcave ajrore ruse Yuri Dashkin tha se sulmet e përsëritur me dronë u nisën në momentin kur lideri rus bëri një vizitë pranë zonës së luftës, transmeton Telegrafi.
Disa ditë më parë ishte raportuar për një udhëtimi të Putinit në Kursk ku janë zhvilluar luftime të ashpra mes ukrainasve dhe rusëve – territor ky i Rusisë.
“Gjatë periudhës kur presidenti Putin po punonte në rajonin Kursk, ukrainasit nisën një sulm të paparë me fluturake pa pilot. Grupi i mbrojtjes ajrore në këtë zonë shkatërroi 46 dronë”, tha gjenerali rus Dashkin.
Ky rajon kufizohet me Ukrainë dhe një zonë e vogël e këtij territori mbetet e pushtuar nga trupat e Volodymyr Zelenskyt.
