Moska pretendon se helikopteri i presidentit rus, Vladimir Putin ishte në qendër të një sulmi masiv me dronë ukrainas gjatë vizitës së tij të fundit në rajonin Kursk në kufirin me Ukrainën. Komandanti i divizionit rus të mbrojtjes ajrore, Yuri Dashkin tha se midis 20 dhe 22 majit, mbrojtja ajrore ruse ka kapur dhe shkatërruar gjithsej 1 170 dronë në zona të ndryshme të vendit, duke e quajtur ofensivën ukrainase një “sulm të paparë”.
Në veçanti, ai pretendoi se 46 dronë u rrëzuan ndërsa Putini po vizitonte rajonin e Kurskut. “Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj për faktin se intensiteti i sulmit u rrit ndjeshëm gjatë fluturimit të Komandantit të Përgjithshëm Suprem në rajon”, tha Dashkin.
“Ne zhvilluam njëkohësisht një betejë kundërajrore dhe garantuam sigurinë e fluturimit të helikopterit presidencial”, vijoi ai.
Rusia kryen në Ukrainë sulmin më masiv që nga fillimi i luftës
Ukraina pësoi orët e fundit një nga sulmet ajrore më masive nga Rusia që nga fillimi i konfliktit. Sipas burimeve zyrtare ukrainase, ofensiva përfshinte 367 dronë dhe raketa, duke shkaktuar të paktën 12 vdekje dhe dhjetëra plagosje në disa rajone të vendit.
Në Kiev, autoritetet raportojnë 4 të vdekur dhe 26 të plagosur, më dëmtime të konsiderueshme në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile. Në rajonin e Zhytomyr, tre fëmijë u vranë dhe 12 persona u plagosën në një sulm me raketa.

Khmelnitskyi dhe Mykolaiv u goditën gjithashtu, me katër të vdekur dhe pesë të plagosur dhe një të vdekur e pesë të plagosur përkatësisht.
Gjithashtu, rajoni i Çernihovit u sulmua me dronë dhe raketa nga Forcat e Armatosura të Federatës ruse gjatë natës, raportoi administrata rajonale. U raportuan zjarre në depo dhe ndërtesa jo-rezidenciale.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i dënoi sulmet, duke i quajtur ato një demonstrim të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë dhe i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të shtojë mbështetjen për Kievin.
Nga ana tjetër, në përgjigje të sulmeve, Polonia dhe vendet e tjera të NATO-s i rritën masat e sigurisë, duke aktivizuar patrullat ajrore dhe duke vënë në gatishmëri të lartë mbrojtjen ajrore përgjatë kufirit lindor të Aleancës.
(BalkanWeb)
