Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë janë takuar të martën në Gjenevë në rundin e ri të negociatave për paqe, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, një javë para përvjetorit të katërt të nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë.

Pritjet për ndonjë marrëveshje janë të vogla, pasi Moska nuk është lëkundur prej kërkesave të saj maksimaliste për territorin ukrainas.

Sulmet e Rusisë në Ukrainë po vazhdojnë çdo natë, duke dëmtuar edhe më tepër sistemin energjetik të vendit, teksa ukrainasit përballen me motin e acartë.

Disa orë para se delegacionet të takoheshin në Zvicër, Moska kreu sulme të kombinuara në Ukrainë, duke goditur 12 rajone me 400 dronë dhe 30 raketa. Të paktën tre persona janë vrarë.

Sulmet e fundit tregojnë “shkallën në të cilën Rusia i nënvlerëson përpjekjet për paqe”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

Rusia ka thënë se mbrojtja e saj ajrore i ka rrëzuar më shumë se 150 dronë, dhe që një rafineri e naftës ka marrë flakë pas një sulmi ukrainas me dronë.

Bisedimet e së martës ndërmjetësohen nga Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Jared Kushner, dhëndëri i presidentit.

Ukraina përfaqësohet nga Sekretari për Siguri Kombëtare, Rustem Umerov dhe Kyrylo Budanov, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në delegacionin rus përfshihet edhe Vladimir Medinsky, ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin dhe figura të inteligjencës ushtarake.

“Nuk mendoj që duhet të presim ndonjë lajm sot”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë edhe të mërkurën.

Duke folur para gazetarëve, Trump ka thënë të martën se Ukraina “duhet të ulet në tavolinë sa më shpejt”.

Trump ka dhënë sinjale edhe më parë se e ka humbur durimin nga mungesa e përparimit në zgjidhjen e këtij konflikti katërvjeçar.

Rusia zotëron aktualisht 20 për qind të Ukrainës, përfshirë pjesë të rajonit lindor të Donbasit. Kremlini kërkon që Ukraina t’ia dorëzojë gjithë pjesën e mbetur të rajonit, por Ukraina e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.

Kievi kërkon që të ketë garanci sigurie prej Perëndimit, para se të arrihet pajtueshmëri për një marrëveshje për paqe me Rusinë.

Rundi i ri i bisedimeve vjen pas negociatave trepalëshe në Abu Dabi, po ashtu të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshje përfundimtare nuk pati – ndonëse palët u pajtueshëm për këmbim të të burgosurve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb