Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se Rusia është përfituesja kryesore nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, lufta në rajon po krijon kushte që i shërbejnë interesave strategjike të Moskës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë ushtarak.
“Rusia është e vetmja fituese nga ky konflikt në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai, duke theksuar se rritja e çmimeve të energjisë po i siguron Moskës më shumë të ardhura për të financuar luftën në Ukrainë.
Ai shtoi se përshkallëzimi i tensioneve po sjell edhe një devijim të kapaciteteve ushtarake të vendeve perëndimore, të cilat përndryshe mund të përdoreshin për mbështetjen e Ukrainës.
Costa theksoi se kjo situatë e re gjeopolitike i krijon Rusisë avantazhe të rëndësishme në një moment kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe Perëndimi përpiqet të ruajë mbështetjen politike dhe ushtarake për Kievin.
