Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur në një intervistë për revistën Time se Rusia ka arritur të ndikojë me sukses në Shtëpinë e Bardhë, duke arritur, sipas tij, në pikën ku zyrtarët amerikanë “i besojnë Putinit më shumë se CIA-s”.
Ai përmendi si shembull gatishmërinë e Presidentit Trump për të përsëritur pretendimet e Putinit se mijëra trupa ukrainase ishin rrethuar në rajonin Kursk të Rusisë perëndimore.
“Kjo ishte një gënjeshtër,” tha Zelensky për Time. Agjencitë e inteligjencës amerikane, përfshirë CIA-n, i kishin thënë Trump se trupat ukrainase nuk ishin të rrethuara, sipas Reuters.
“Unë besoj se Rusia ka arritur të ndikojë në disa njerëz në ekipin e Shtëpisë së Bardhë përmes informacionit … Sinjali i tyre për amerikanët ishte se ukrainasit nuk duan t’i japin fund luftës dhe duhet bërë diçka për t’i detyruar ata.”
Zelensky tha gjithashtu se gjatë takimit të tij të tensionuar me Trump në Zyrën Ovale muajin e kaluar, ai kishte ndjesinë se SHBA “nuk po merrte pozicionin e një aleati”.
