Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ndaj njoftimit të presidentit rus Vladimir Putin për një provë rakete me energji bërthamore, duke e cilësuar atë si “të papërshtatshme”.
“Duhet ta ndalojë luftën. Një luftë që duhej të zgjaste një javë është gati të hyjë në vitin e saj të katërt. Kjo është ajo që ai duhet të bëjë, në vend që të testojë raketa,” – tha Trump për gazetarët në bordin e Air Force One.
Deklarata e presidentit amerikan vjen pas konfirmimit nga Moska se Rusia ka kryer një test të suksesshëm të një rakete me sistem energjie bërthamore, zhvillim që ka ngritur shqetësime ndërkombëtare mbi rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve ushtarake.
Rusia thotë se 9M730 Burevestnik (Stuhia Petrel) – i quajtur SSC-X-9 Skyfall nga NATO – është “i pamposhtur” ndaj mbrojtjeve raketore aktuale dhe të ardhshme, me një rreze veprimi pothuajse të pakufizuar dhe një rrugë fluturimi të paparashikueshme.
“Është një armë unike që askush tjetër në botë nuk e ka”, tha Putin, i veshur me uniforma kamuflazh në një takim në pikën komanduese me gjeneralët që mbikëqyrin luftën në Ukrainë, në komentet e publikuara nga Kremlini të dielën.
Putin tha se disa specialistë rusë i kishin thënë dikur se arma nuk kishte gjasa të ishte ndonjëherë e mundur, por tani, tha ai, “testimi i saj vendimtar” kishte përfunduar.
