George Russell  ishte protagonisti i madh i garës së parë të Botërorit 2026, me Formulën 1 që nisi në Australi një epokë të re.

Piloti i Mercedesit, sigurisht shumë i lumtur për suksesin, komenti triumfin e së dielës në Melburn, duke theksuar ndikimin e futjes së makinës së sigurisë: “Gara shkoi pak a shumë siç e prisnim, por pa ‘Virtual Safety Car’ nuk jam shumë i sigurt që do ta kishim fituar. Ferrari ishte shumë e shpejtë në zonat e duhura, sidomos në start, dhe mund ta kishin fituar ata garën.

Në fillim të Çmimit të Madh pata një duel të fortë me Lëklerkun. E dija që Ferrari do të na vinte në vështirësi. Dua të falënderoj ekipin tim, kishte kohë që nuk kisha në dispozicion një makinë kaq konkurruese dhe nuk mund të kishte një fillim më të mirë se ky.

Edhe pasi mora kryesimin, nuk ishte e lehtë ta mbaja. Ka disa gjëra që duhet t’i rishikojmë nga ana jonë, sepse diferenca e avantazhit nuk ishte shumë e madhe. Megjithatë është bukur të realizosh një dopietë. Sigurisht që nuk do t’i fitojmë të gjitha garat, pasi konkurrenca është shumë e fortë. Dominimi ynë ishte i pritshëm, por duhet pranuar që sot (dje) patëm edhe pak fat”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb