Fjalë zemre të një nene kushtuar djalit të saj. E tillë është letra e kësaj nëne kushtuar vogëlushit të saj, i cili dyshohet se u infektua në QSUT gjatë shtrimit në spital me virusin vdekjeprurës Hiv.

Në ditën botërore kundër Hiv/Aids, nëna e re ka treguar peripecitë dhe dramën me të cilën u përball kur mori vesh se djali i saj, tashmë 2 vjeç e ca, ishte infektuar me këtë virus.

Ndërkohë, ajo tregon se pasi humbi shpresat, arriti të rimerrte forcë dhe të luftonte për të birin, motivin e jetës së saj. Kujtojmë se rasti në fjalë është denoncuar për herë të parë në News24, ku prindërit e vogëlushit akuzuan QSUT se ishte përgjegjëse për infektimin e djalit, pasi ata pas disa ritestimeve nuk rezultonin me këtë virus.

LETRA
Bir’
e kisha menduar më të largët këtë letër, por fundja shumë gjëra na erdhën në jetë pa pyetur…
Ai fillim tetori i vitit 2021 i dha kuptim gjithë botës sime. Sytë e t’u ishin gjëja më e bukur që kisha parë ndonjëherë e kalonin çdo kufi të ëndërruar me parë. U bëra nënë. Asgjë tjetër nuk mund të ishte më e fortë dhe më e bukur se kjo. Por, sa fytyra mund të ndërronte lumturia brenda pak muajve? Deri ku mund të dëgjohej klithma e një shpirti të copëtuar?!
Ah bir sa shumë dhemb fëmija…
Çfarë mund të jetë më e rëndë për zemrën e një nëne se sa të tretet fëmija përpara syve?
Ishin ditët e para të muajit Mars kur ma corrën shpirtin përgjithmonë: “Djali juaj është infektuar me virusin Hiv!
Kush? Im bir? I vogli im që sapo ka ardhur në jetë? – pyesja pa pushim e tronditur. Po si? Përse mua? Ne jemi të shëndetshëm. Jemi testuar. O zot çfarë drame e madhe në jetën tonë.
Si mund të jetojë ky virus në trupin e brishtë të djalit tim??
Zot përseee???
Ku ta merrte forcën shpirti im për të dërguar këmbët në sallën e reaminacionit ku ishe ti biri im.
Si nuk e kisha kuptuar luftën që po bëje për të mbijetuar?
Më shihje me sytë që të rëndonin aq shumë, por nuk të lexova e kuptova dot. Ta ndjeva frymëmarrjen e lodhur, por i jepja shpjegime që ishin shumë larg të vërtetës. Si nuk e kisha kuptuar që po më shuhej drita e syve dhe po më kaplonte errësira vrasëse??
E me të gjitha këto thika qe me nguleshin një nga një, hapat me ngadalësoheshin gjithmonë e me shumë drejt teje…

Ndjehesha fajtore që nuk isha unë në vendin tënd. Në ato pak sekonda më erdhën në mendje të gjitha format që mund ta merrja edhe unë këtë virus. Më kalonin përpara syve të gjitha rrugët që mund të ishin fatale për mua.
Por, të gjitha këto u fshinë sapo pashë sytë e tu, që prisnin nga dera, ndoshta më prisje mua, ndoshta edhe babin ose ndoshta thjeshtë shpresën për t’ia dalë.
E ndjeve dhe ti i vogli im që na u përmbys jeta dhe asgjë nuk do ishte më si më parë, fatkeqësisht.
Por, dashuria për ty ishte më e madhe se të gjitha këto mendime. Lufta për të të pasur ty pranë, do ishte shumë më e ashpër se ky armik që gjeti trupin tënd komplet të papërgatitur për ta mposhtur. Ti je i shtrenjtë për ne biri im. Për ty do t’i ngulja kthetrat aq thellë deri sa të mos kishte fuqi asnjë virus që të të lëndonte. Fiks kështu bëra. Të shtrëngova fort në krahë e t’u betova se do t’ia dalim.

Mami jot beson fort tek dashuria, por më shumë beson në Zot! Forcën e gjeta tek ai, u mbajta e sigurt tek babi yt dhe të ngrita me gjithë forcën e shpirtit nga ai krevat i spitalit që po të vriste dalëngadalë. Lashë pas gjithçka në emër të Dashurisë për ty biri im! Ti ishe qëllimi im i vetëm. Vetëm me rrobat e trupit, vetëm ne të tre…filluam luftë kundër një force jo të lehtë për ta mposhtur. Kaluam male e dete e trokitëm kudo. Kërkuam ndihmë deri në dëshpërim. Nuk u ndalëm dhe sa herë fati na çonte në pikën 0. Kur një rrugë mbyllej, nuk dorëzoheshim, hapnim nga fillimi rrugë të reja. Sepse ti je pika jonë e fortë!
Bir, shiko ku jemi sot? Në një vend të huaj, më vështirësi të mëdha, larg njerëzve të afërm, larg jetës së ëndërruar…Por, të kemi ty, të jetojmë për ty! Biri im i brishtë sot pas 2 vitesh në lufte më jetën u tregove kaq i madh. Luftove dhëmb për dhëmb me virusin e nuk na e lëshove dorën kurrë.
Shpirti im, ti sot vrapon nëpër shtëpi plot dritë e hare?! Të kam vërtetë në krahë?! Ti po thërret “mama” e “baba” e po këndon vargje plot melodi?!
Kush tha që jeta nuk është e bukur?!
Duhet vetëm kurajo për ta jetuar…
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb