Kryeministri Edi Rama ka vijuar me tone të ashpra debatin në Kuvend, në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj akuzave dhe kritikave të opozitës, duke iu referuar rolit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe zhvillimeve të fundit politike në vend.
Rama deklaroi se pa Tony Blair nuk do të kishte ndodhur ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, duke akuzuar kundërshtarët politikë për qëndrime të dyfishta ndaj çështjes së Kosovës.
“Pa Tony Blair nuk do ndodhte futja e NATO-s në Kosovë që ju e doni aq shumë, ndërkohë që nuk ndaluat duke çuar naftë te Sllobodani dhe nuk latë fjalë të poshtër pa thënë për UÇK-në. Nga dashuria për Kosovën e kishit”, u shpreh kryeministri nga foltorja e Kuvendit.
Në vijim të fjalës së tij, Rama ironizoi thirrjet e opozitës për kallëzime në SPAK, duke e cilësuar këtë institucion si “stacionin e fundit të rrugës së shpresës” së tyre për të ardhur në pushtet.
“Coje në SPAK, thoni ju. Tani që ushtria amerikane anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK është stacioni i fundit i rrugës së shpresës suaj për pushtet. Ju fituat”, deklaroi ai me ironi.
Kryeministri reagoi edhe ndaj akuzave se po shfaq nervozizëm gjatë seancës parlamentare, duke mohuar këtë interpretim dhe duke e përshkruar veten si të duruar dhe të përkushtuar.
“Unë nervoz? Unë kam pasionin e atij që sheh se si të gjitha kurthet në pyll janë hapur dhe janë plot. Për ato kurthe duhet durim”, tha Rama.
Në mbyllje, ai u ndal edhe te etiketimet e përdorura nga opozita ndaj tij, duke ironizuar nofkën “Ramaduro”.
“Sa herë më thoni Ramaduro, unë e dëgjoj Rama duro. Hiqeni këtë, se më shtoni durimin”, përfundoi kryeministri.
