Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, refuzoi të martën të thoshte se sa larg do të shkojë në çështjen e Groenlandës, por sugjeroi se mund të arrijë një marrëveshje, ndërsa udhëheqësit evropianë shprehin alarmin për kërcënimet e tij për të sekuestruar territorin nga aleati Danimarkë.
I pyetur se sa larg do të shkonte, disa orë para se të nisej për në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Trump u përgjigj vetëm: “Do ta zbuloni vetë”.
“Kemi planifikuar shumë takime për Groenlandën dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mjaft mirë”, u tha Trump gazetarëve në lidhje me takimet e tij në Davos.
Danimarka ka paralajmëruar se e gjithë aleanca e NATO-s është në rrezik nëse Trump ecën përpara me kërcënimet. Gjatë fundjavës, Trump premtoi tarifa të reja për vendet evropiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, të cilat dërguan trupa në Grenlandë në shenjë solidariteti.
Ai hodhi poshtë sugjerimet se po vinte në rrezik një marrëveshje të vitit të kaluar me BE-në, në të cilën aleatët premtuan të rrisnin investimet në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “Ata kanë shumë nevojë për atë marrëveshje me ne”.
“Mendoj se do të gjejmë diçka ku NATO do të jetë shumë e lumtur dhe ku ne do të jemi shumë të lumtur”, tha Trump.
“Por ne kemi nevojë për të për qëllime sigurie. Ne kemi nevojë për të për sigurinë kombëtare dhe madje edhe për sigurinë botërore”, tha Trump për Grenlandën.
Udhëheqja e Groenlandës ka thënë vazhdimisht se ishulli i gjerë, por me popullsi të rrallë, nuk është në shitje.
I pyetur në lidhje me kundërshtimin e gjerë ndaj planeve të tij midis popullsisë së Groenlandës, Trump tha: “Kur të flas me ta, jam i sigurt se do të jenë të emocionuar”.
Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën, e cila do ta rriste ndjeshëm sipërfaqen tokësore të SHBA-së, për shkak të kërcënimit që Rusia ose Kina ta pushtojnë ishullin, ndërsa ndryshimet klimatike hapin rrugë ujore në Arktik.
Asnjëra prej dy fuqive rivale nuk e pretendon Groenlandën, dhe Danimarka ka thënë se Kina nuk ka investime të mëdha dhe nuk ka dërguar kohët e fundit ndonjë anije luftarake në Groenlandë.
