Juristi Altin Kaziaj, i ftuar në emisionin Studio24, ka komentuar mbledhjen e sotme të Këshillit të Mandateve për Belinda Ballukun, për të cilën Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar arrestimin.
Gjatë fjalës së tij, Kaziaj u shpreh se, sipas tij, Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen që në momentin e parë të nisjes së procedurave. “Balluku duhet të jepte dorëheqjen që në fillim. Ai është një akt unilateral, i njëanshëm, që disponon për veten,” deklaroi juristi, duke theksuar se përgjegjësia politike në raste të tilla duhet të jetë e menjëhershme.
Kaziaj shkoi më tej, duke komentuar edhe mbi masën e mundshme të dënimit. “Ato 35 vite burg janë shumë pak me atë që mendoj se do të jetë pretenca përfundimtare për zonjën Balluku,” u shpreh ai, duke shtuar se hetimet mund të çojnë në akuza të reja.
Sipas juristit, zhvillimet e mëtejshme mund të rëndojnë pozitën e saj ligjore. “Unë mendoj se mund t’i atribuohen vepra penale të reja që mund t’i shtohen për shkak të premisave që çojnë në fakte të reja penale, të cilat mund të shtojnë dënimin,” theksoi Kaziaj.
