Edi Rama e prishi rehatinë e së dielës së 1 marsit dhe vendosi të inspektojë personalisht ish-shtëpinë e Enver Hoxhës. Ai zgjodhi t’i kushtohet Vilës 31, për të parë bojën e djegur nga zjarri molotov, fatmirësisht pa njerëz të lënduar.
Por, çfarë e shtyu Edi Ramën të dalë në punë mëngjesin e së dielës dhe të mos shijojë pranverën, e cila trokiti zyrtarisht më 1 mars dhe dielli përkëdheli lëndinën e Surrelit?
Të thuash që ka nostalgji për ish-shtëpinë e diktatorit nuk qëndron, sepse kryeministri njihet ai antikomunist i hershëm.
Të thuash që gjëma e ndodhur ish aq e madhe sa meritoi vëmendjen personale të tij, edhe kjo nuk qëndron sepse molotovët e PD kanë bërë dëm tek Kryeministria, Kuvendi e selia e PS më shumë se tek Vila 31.
Po atëherë?
Vëmendja e Ramës i kushtohet faktit që aty brenda kishte ca artistë të huaj dhe ata me siguri, janë lemerisur kur e kanë parë veten nën breshërinë e molotovëve dhe fishekzjarrëve. Qeveria shkruajti se “objektivi i dhunës është dëmtimi i ekonomisë shqiptare dhe sabotimi i turizmit!”
Këtu nis paradoksi. Sepse, nëse molotovët ndaj një godine publike përbëjnë “sabotim të turizmit”, çfarë ishin atëherë skrepat, fadromat dhe tritoli mbi “Prestige Resort” në mes të sezonit turistik?
Po paniku i turistëve që u zgjuan nga zhurma e fadromave, që u ngritën nga tavolinat e ngrënies dhe u larguan të tmerruar nga sirenat dhe policia që rrethoi “Prestige Resort”?
Në rastin e Vilës 31, pronë publike, Kryeministri foli për imazhin e Shqipërisë, për ekonominë, për pasojat në turizëm dhe madje kritikoi gjykatat që lirojnë protestuesit e akuzuar për hedhje molotovësh.
Por, në rastin e shkatërrimit të hotelit “Prestige Resort” në Qerret, heshtja ishte shurdhuese.
Jo vetëm kaq. Qëndrimi politik i mazhorancës në fakt inkurajonte një aksion që u zhvillua në kulmin e sezonit, në sy të pushuesve vendas e të huaj.
Në këto kushte del pyetja: Pse u mendua për turizmin te Vila 31, por jo në Qerret?
Nëse disa molotovë që nuk shkaktuan viktima përbëjnë kërcënim për ekonominë kombëtare, atëherë çfarë përbën shembja me fadroma e një kompleksi turistik funksional, me klientë brenda, me prenotime aktive dhe me qindra të punësuar?
Dy standarde për të njëjtin koncept, turizmin.
Në rastin e Vilës 31, objekti është pronë publike.
Në rastin e resortit, prona ishte private.
Por Kushtetuta nuk bën dallim mes pronës publike dhe asaj private për sa i përket mbrojtjes ligjore. Ato mbrohen njësoj me ligj. Shteti është garant i të dyjave.
Atëherë pse duket sikur prona publike peshon më shumë se prona private? Apo sepse prona private, kur është në konflikt me pushtetin, trajtohet si e përkohshme, e diskutueshme, e zëvendësueshme?
Kryeministri kritikoi gjykatat që lirojnë protestuesit e dhunshëm. Por ku ishin këto gjykata kur një biznes privat shembej me shpejtësi rekord, ndërsa çështjet ligjore vijonin? A nuk ishte edhe aty një proces që meritonte pritje, vendim përfundimtar, proporcionalitet?
Tek Vila 31 u mbrojt imazhi.
Në Qerret u shfaq forca.
Tek Vila 31 u fol për artistë të huaj të trembur.
Në Qerret nuk u fol për turistë të huaj të larguar nga sytë këmbët.
Tek Vila 31 u kërkua përgjegjësi penale për dhunën ndaj një objekti.
Në Qerret askush nga niveli më i lartë politik nuk foli për pasojat ekonomike, për humbjen e vendeve të punës, për mesazhin që iu dërgua investitorëve, se një pronë private mund të rrafshohet në kulmin e aktivitetit. Madje në vend që të japë garanci për biznesin dhe investitorët, kryeministri shkon nëpër ambasada dhe fabrikon gënjeshtra për biznesin e ndershëm që bie në konflikt me pushtetin.
Kjo është thelbi i paradoksit.
Turizmi nuk dëmtohet vetëm nga molotovët e opozitës.
Turizmi dëmtohet edhe nga skrepat e shtetit kur ato perceptohen si selektive, të nxituara dhe të motivuara politikisht.
Në fund, pyetja që mbetet është: A mbrohet turizmi si sektor strategjik, apo përdoret si argument sipas rastit?
Sepse standardi i dyfishtë është gjithmonë më i dëmshëm se çdo molotov!
