Sot u prezantua drafti për Kodin e ri Penal. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksoi nevojën për një reformim të thellë të Kodit Penal, duke theksuar se legjislacioni aktual nuk i përgjigjet sfidave moderne të sistemit të drejtësisë.

Sadushi tha se Kodi i ri Penal duhet të ndërtohet mbi disa parime themelore të panegociueshme për çdo sistem penal modern.

“Kodi aktual e ka përmbushur misionin e tij historik. Shqipëria ka ndryshuar dhe drejtësia ka evoluar. Nga ana tjetër edhe krimi është bërë më kompleks dhe përballë këtij realiteti nevojitet një Kod I ri që nuk riprodhon logjikën e djeshme, por parashikon sfidat e së nesërmes”, u shpreh Sadushi.

“Ai duhet të ndërtohet mbi disa parime themelore të panegociueshme për çdo sistem penal modern, si qartësia normative dhe siguria juridike, humanizmi dhe risocializim i të dënuarve, dekriminalizimi i shkeljeve që nuk përmbajnë rrezik real, përputhja me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kodi Penal nuk është thjesht për juristët, por është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet ka gjasa të mos respektohet dhe nëse nuk zbatohet drejt nuk bëhet as drejtësi”, u shpreh Sadushi.

Sadushi gjithashtu bëri thirrje që Kodi i ri të mos jetë mjet për ndëshkim, por një instrument për drejtësi humane dhe restauruese. Sadushi nënvizoi që Kodi i ri duhet të shërbejë për parandalimin dhe jo vetëm për ndëshkimin.

“Gykata e Lartë kërkon një kod që ndihmon dhe jo që vështirëson, sa më i paqartë është Kodi aq më të paqëndrueshme janë edhe vendimet. Sa më i mbingarkuar të jetë aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet. Shpresoj që të kemi një Kod Penal që shmang inflacionin penal dhe ruan koherencën strukturore, përdor gjuhë të thjeshtë dhe qartësisht të kuptueshme, shmang kriminalizimin e panevojshëm të sjelljeve të dënueshme moralisht apo etikisht të cilat mund të zgjidhen përmes të drejtës civile”, vijoi Sadushi.

“Kodi Penal duhet të priret nga humanizmi i së drejtës penale duke garantuar respektimin e standardeve moderne të drejtësisë restauruese, alternativa e dënimit me burgim, mundësive për rehabilitim, dhe nuk është një mjet për të ndërtuar një drejtësi penale represive, por një drejtësi humane dhe të drejtë”, tha Sadushi.

Në përfundim, Sadushi u shpreh se duhet “të ndërtojmë një Kod Penal që flet qartë, dënon drejt dhe udhëzon me maturi që synon jo thjesht ndëshkimin, por drejtësinë që nuk frikëson, po edukon, që nuk rrit pasigurinë, por garanton barazinë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb