Sali Berisha ka mbledhur sot deputetët e tij, ndërsa në nisje të deklaratës tha se sheh me shqetësim që ligji për lustracionin nuk sillet në Parlament.
Berisha tha se do të insistojnë për këtë ligj, e po ashtu ka kërkuar që të mos bllokohet më nga pozita rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.
Për këtë ai bën përgjegjës Edi Ramën, duke thënë se e bën këtë më urdhër të Vuçiçit.
“Në Parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës. Ligji tani ka bazë të plotë kushtetuese sepse ky nen është i sanksionuar për gjykatësit dhe prokurorët. Ideja për zëvendësimin e tij është ide hakmarrëse. Ne duhet të insistojmë për sjelljen e këtij ligji që ka standardet më të mira dhe që tani s’mund të ketë pengesë meqenëse është i sanksionuar në kushtetutë si proces.
Mossjellja e ligjit ka synim përdorimin e amendamentit të Ballës, që e mbështeti edhe AliBasha, për gjah shtrigash.
Problemi i dytë madhor, që bllokohet prej një viti është rezoluta për Kosovën, për gjenocidin serb. Rama është argat i Vucicit dhe e bllokon këtë totalisht me urdhër të tij.
Urdhëron Safet Gjicin të prishë në Kukës përmendoren në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit serb në Lumë.
Ligji i parashtrimit është ligj për hajdutët. Qytetarët ta gëzojnë këtë të drejtë, por zyrtarët e lartë jo. Siç e shihni, heqja e imunitetit ka zero efekt në një kohë kur tjetri ka vendosur kontroll total në drejtësi.
Ne duhet të marrim çdo masë në mënyrë që askush nga kryeministrat apo ministrat mos t’i shpëtojnë ndëshkimit. Njerëzit e përçmuar do kenë si ngushëllim se drejtësia do bëhet për ata, dhe pasuria e vjedhur nga kryeministrat dhe ministrat do iu kthehen”, tha ai.
