TIRANË- Domart Konjari, 44 vjeç është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së Devi Kasmit, i ekzekutuar mbrëmjen e kaluar sapo doli nga banesa me 4 plumba. Domart Konjari është një emër i njohur për autoritetet shqiptare por edhe të huaja dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai dyshohet për vepra të rënda penale, mes tyre vrasje e trafik droge.
Për policinë, Konjari ishte person me rrezikshmëri, pasi bënte pjesë në një grup kriminal që merrej me trafikimin e kokainës në Europë nga vendet e Amerikës Jugore.
I shpallur në kërkim nga Franca, Domart Konjari u arrestua më 4 nëntor të vitit 2015 në pikën kufitare të Kapshticës me dokumente false si Arben Lazri.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia franceze si pjesëtar i një grupi kriminal të organizuar, që bënte trafikimin në sasi të mëdha të kokainës në Europë. Konjari u kap teksa po tentonte të kalonte për në Greqi me dokumente false.
Domart Konjarin, njihet si anëtar i bandës së “Rrugës Bardhyl” dhe mik i Franc Konomit, (i vrarë me 8 korrik të vitit 2010).
Por më 14 mars 2016 Apeli i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e liroi Konjarin duke caktuar masën e sigurisë ‘Detyrim paraqitje’. Gjykata e Korçës kishte dhënë ‘Arrest me burg’ për Konjarin, ndërsa prokuroria argumentoi se arrestimi u bë me qëllim ekstradimin e 42-vjeçarit drejt Francës.
Më 18 mars 2016 ambasada franceze në Shqipëri e zhgënjyer nga vendimi i apelit i dërgoi një letër presidentit e kryeministrit të vendit. Ambasada vinte në dukje se ishin harxhuan miliona euro dhe dhjetëra e mijëra orë pune në Francë, për të dënuar me 10 vjet burg Konjarin, të përfshirë në një rrjet gjigant trafiku kokaine. Gjykata e Apelit e la të lirë me pretendimin se ishin shkelur afatet nga prokuroria, kjo e fundit akuzoi gjykatën për shkelje flagrante të ligjit
“I ftuar i një vendi mik dhe aleat, nuk më takon të kritikoj vendimin e një trupi gjykues të pavarur”, thuhej në letrën, që më pas ilustron se cili ishte personi që kishte liruar drejtësia shqiptare dhe sa kohë e energji u ishin dashur autoriteteve franceze për ta dënuar atë.
Letra e përmend Konjarin vetëm me iniciale, por i referohet specifikisht rastit. Letra thotë se Konjari ishte dënuar në mungesë, më 13 nëntor 2015, nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rennes (Francë) me 10 vjet burg, nga të cilat nuk duhet të vuajë jo më pak se gjashtë vite burg, “me ndalim të përhershëm në territorin francez dhe me një gjobë prej 2,6 milionë eurosh”.
Më pas, ajo rendiste akuzat ndaj tij: “Motivet janë: import, mbajtje, transport, tregtim i drogës, krijim i një grupi kriminal dhe pastrim parash nga trafiku i drogës. Ai është i njohur si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar trafiku kokaine, aktiv në më shumë se gjashtë vende, rrjet ku janë të përfshirë dyzet e pesë persona nga pesë vende të ndryshme, mes të cilëve edhe francezë”, thuhej në letrën nisur presidencës dhe autoriteteve shqiptare.
Ajo që bëhej me dije në këtë rast është se Konjari ishte i dënuar dhe se drejtësia shqiptare duhej të vlerësonte këtë dënim, por kjo i ka dhënë lirinë.
“Në zbatim të Konventës europiane për ndihmë të ndërsjelltë gjyqësore në fushën penale e ratifikuar nga Shqipëria, drejtësia franceze i ka kërkuar drejtësisë shqiptare të ushtrojë ndjekjen penale ndaj këtij shtetasi shqiptar. Kjo procedurë, e quajtur “denoncim zyrtar” është filluar nga zëvendësprokurori i Rennes dhe i është dërguar në frëngjisht dhe në shqip Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë më 16 nëntor 2015, vetëm 3 ditë pas dënimit të D.K.”, thuhej në letër, e cila kërkonte të bënte të qartë se materialet që mund të mbanin në qeli të kërkuarin prej drejtësisë franceze ishin të plota dhe se kishin mbërritur në kohë në Shqipëri.
PËRPLASJA PROKURORI-GJYKATË
Çështja Konjari u bë pjesë e debatit mes prokurorisë dhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Prokuroria e cilësoi shkelje flagrante të ligjit lirimin prej Gjykatës së Apelit të të akuzuarit për trafik kokaine nga drejtësia franceze. Apeli vlerësoi se prokuroria kishte shkelur afatet gjatë transferimit të dosjes prej Korçës në Tiranë.
Prokuroria ndërsa tregon me detaje procedurat e ndjekura gjatë transferimit, referon se Gjykata e Apelit nuk kishte arsye të ndryshonte masën e sigurisë ndaj personit në fjalë.
“Gjykata e Apelit, në kundërshtim flagrant me ligjin, jo vetëm që nuk pranoi apelin e prokurorit, por vendosi lirimin e menjëhershëm të të arrestuarit Domart Konjari, me konstatim të humbjeve të efekteve të masës së sigurimit”, thuhej në një përmbledhje të ngjarjes prej prokurorit të çështjes. Prokuroria po ashtu bënte me dije se as afatet nuk janë shkelur.
“Duke iu referuar shqyrtimit gjyqësor të shkallës së parë, jo vetëm që është respektuar ky afat, por ka qenë krejt i panevojshëm, se rasti në gjykim nuk ka lidhje me nenin 88 të Kodit të Procedurave Penale, siç arsyetova më lart”, shkruante prokurori në arsyetimin e tij, shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme.
Më 18 mars 2016, Ministri i Drejtësisë në atë kohë, Ylli Manjani kërkoi ndjesë publike për lirimin e Konjarit. Në një reagim, pas letrës së ambasadorit të Francës në Tiranë ku shprehu shqetësimin për lirimin nga burgu të Domart Konjarit, Manjani deklaroi se do të angazhohet për të rivendosur autoritetin e vendimeve gjyqësore të Francës.
“Kërkoj një ndjesë publike pavarësisht që nuk më takon mua në kuptimin ligjor, por sidoqoftë ndjesën duhet të tregojmë si shtet, si komb si shoqëri, të cilën kemi ende luksin të diskutojmë vlefshmërinë, juridiksionin apo legjitimitetin e gjykatave franceze, të cilat janë gjykata në kuptimin e besueshmërisë dhe funksionimit, gjykata me super standard. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë. Kam biseduar me Ministrin e Brendshëm, me autoritetet e Policisë së Shtetit, me Prokurorin e Përgjithshëm, për të gjetur të gjithë zgjidhjen e nevojshme që të vendoset në vend ajo gafë që unë besoj se ka ndodhur në kuptimin substancial në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Apelit”, shprehej ministri.
Duke sqaruar faktin se Ministri i Drejtësisë i ka mundësitë ligjore të kufizuara, sepse procedimi disiplinor që mund të nis lidhet vetëm më çështje procedurale, Manjani nënvizoi se “Ministri mund të mos jetë dakord me thelbin e vendimit por nuk është autoriteti që e ndryshon”.
“Patjetër që është detyra ime të inspektoj për çdo gjë. E kam thënë dhe kam vullnet të fort që të inspektoj çdo çështje e cila shfaqet si shqetësim në opinionin publik, ashtu siç shfaqet edhe si shqetësim i bashkëpunimit në qeveritë partnere. Ministri i Drejtësisë është autoritet ligjor ekskluziv që rregullon marrëdhëniet juridiksionale, merret me këtë marrëdhënie me qeveritë e vendeve të tjera”, deklaronte Manjani.
RIKTHIMI NË GJYQ
Më 13 korrik 2017 Prokuroria çoi në gjyq Domart Konjarin, trafikantin që ‘përplasi’ Shqipërinë me Francën. Prokuroria për Krime të Rënda dërgoi për gjykim Domart Konjarin, i cili akuzohej për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizatë Kriminale”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Korruspion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndërkohë që Konjari fitoi lirinë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit. Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish në dhjetor 2016 caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës, por ndërkohë, ai nuk u gjet nga Policia, pavarësisht se, me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike.
Më 17 janar 2018 Gjykata për Krimet e Rënda çeli procesin gjyqësor ndaj Domart Konjarit. Gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes për transferim të procedimit penal në Francë. Konjari po gjykohet në mungesë.
Gjykata për Krime të Rënda me vendimin nr. 440 datë 30/12/2016 ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për të pandehurin Domart Konjari. Duke qenë se nuk u bë i mundur ekzekutimi i këtij vendimi kjo Gjykatë me vendimin nr. 315 datë 23/06/2017 ka vendosur deklarimin e ikjes së të pandehurit Domart Konjari.
(m.k/BalkanWeb)
