TIRANË- Dhjetëra seanca, procese të nisura, të përfunduara e rifilluara për Gentian Dodën, i akuzuar për vrasje të dyfishtë në vitin 1997 në Burrel. Ishte pikërisht vendimi për të, që çoi në ndalimin e gjyqtarit Shkëlqim Miri, me dyshimet për korrupsion, ndërsa në banesë iu gjetën 300 mln lekë të vjetra.

Gazetarja Klodiana Lala zbardh për News24 e “BalkanWeb” proceset gjyqësore ndaj Gentian Dodës, fillimisht në gjykatën e Matit por më pas deri në Kushtetuese.

Pasi ishte gjykuar një herë dhe dënuar në mungesë me 20 vite burg, në vitin 2012, Doda ekstradohet, nga SHBA dhe kërkon rigjykim të çështjes. Por në vitin 2013, Gjykata e Lartë rrezoi kërkesën duke lënë në fuqi dënimin me 20 vite burg. Por Doda nuk hoqi dorë, duke e çuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit e riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila këtë herë pranoi kërkesën e autorit të dyshuar të dy vrasjeve për rishqyrtim të çështjes. Për më tepër Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykim në Gjykatën e Matit në vitin 2015 me një tjetër trupë gjykuese nga e hera e parë për Dodën.

Në vitin 2016, Gjykata e Matit dha vendimin me 8 vjet burg për Gentian Dodën, i cili sërish nuk ishte i kënaqur dhe apeloi vendimin. Gjykata e Apelit ndryshoi akuzën, në ‘plagosje me dashje’. Por kjo gjë është kundërshtuar nga organi i akuzës. Më 10 korrik 2017 Prokuroria e Apelit bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prishjen e 2 vendimeve të mëparshme përfshi vendimin e gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe dënimin me 20 vjet burg për vrasje.

Relator për çështjen në Gjykatën e Lartë është caktuar Edmond Islamaj, por dosja për Gentian Dodën është në pritje për shkak të fluksit.

Doda e bazon kërkesën e tij për rishqyrtim të çështjes në faktin se ai nuk ka qenë i pranishëm në seanca dhe se avokati ka qenë i zgjedhur nga familja dhe jo ai vetë. Për më tepër një nga kushtet e vendosura nga SHBA për ekstradimin e Dodës ka qenë pikërisht marrja parasysh e kërkesës për rishqyrtim të çështjes nga Doda.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb