Kapuçino, schweppes, pije energjike, çokollata, qumësht. Këto nuk janë produkte që kërkohen nga ndonjë bar në Bllok, por janë porosi me tender të veçantë nga një institucion shtetëror për të gostitur punonjësit e tij. Dhe institucioni që ka hapur këtë tender varet nga Belinda Balluku. Në kohën kur çmimet e ushqimeve po bëhen të papërballueshme për qytetarët për shkak të krizës dhe Kryeministri jep 5 mijë lekë lëmoshë për pensionistët në prag të zgjedhjeve, institucionet në vend nuk ndalen duke hapur tendera luksi.

Një i tillë është edhe ai që u hap nga Albcontrol, shoqëria shtetërore e cila menaxhon hapësirën ajrore shqiptare e drejtuara nga Laureta Omeri e besuara e z.kryeministres dhe ministres së gjithanshme Belinda Ballukut.

Në 20 mars 2023 Omeri ka hapur një tender me vlerë 8 milionë lekë për të blerë 16 produkte duke filluar nga uji deri tek schweppes, kapuçino, salepi, kakao e shumë produkte të tjera për punonjësit e këtij institucioni që paguhen me paga shumë më të larta se institucionet e tjera në vend.

  • foto galeri
  • foto galeri

Por, si i kërkojnë produktet? Punonjësit e Albcontrol kërkojnë që uji të jetë me shishe qelqi, qumështi të ketë me 3.5 yndyrë, çokollata të jetë e zezë dhe jo e bardhë, kafja të jetë profesionale me kokrra, salepi, çaji, kapuçino dhe sheqeri të jenë me pustina. Në të njëjtën kohë, punonjësit e superpaguar të Albcontrol kërkojnë edhe pije energjike gjatë orarit të punës, por edhe pije freskuese.

Siç del edhe në dokumentet e tenderit, kompania fituese duhet të marrë masat që sasinë e porositur ta shpërndajë në mënyrë të barabartë për të gjithë muajit e vitit 2023, në mënyrë që punonjësve të Albcontrol të mos u mungojë në asnjërën periudhë të vitit as qumështi me yndyrë, as çokollata e zezë dhe as kafja me kokrra. Pra gjithçka e programuar, për të mos u munguar asnjë e mire punonjësve të Albcontrol të cilët nuk e fusin dorën në xhep, pasi për ta mendon shoqëria shtetërore Albcontrol me në krye të besuarën e Belinda Ballukut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb