Ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për situatën aktuale politike në vend dhe për mundësinë e daljes nga burgu të bashkëshortit të saj, ish-presidentit Ilir Meta.

Gjatë intervistës, Kryemadhi vlerësoi ish-kryeministrin Sali Berisha si të vetmin që po bën opozitë reale në Shqipëri, duke theksuar se ai po e bën këtë përballë vështirësive të mëdha personale dhe familjare.

“Sali Berisha është i vetmi që bën opozitë dhe e shoh që është vetëm fare, sado të mundohen të tjerë. Edhe ai ka marrë kosto familjare për këtë,” deklaroi Kryemadhi.

Duke folur për situatën e Ilir Metës, ajo u shpreh se dalja e tij nga burgu do të sillte një “rigjenerim politik” dhe do të rikthente një rol aktiv për të në arenën politike.

“Duke dalë Ilir Meta nga burgu bëhet një rigjenerim tjetër. Nëse Meta del nga burgu, mendoj se do i rikthehet zanatit si kingmaker,” u shpreh ajo, duke nënvizuar ndikimin që Meta mund të ketë në ekuilibrat e opozitës.

Sipas saj, arrestimi i Metës ka ndërprerë komunikimin e Partisë së Lirisë me bazën e saj, duke dobësuar ndjeshëm strukturat e brendshme.

“Nëse del Ilir Meta, krijon një këndvështrim tjetër, sepse arrestimi i tij ka ndërprerë komunikimin me bazën në Partinë e Lirisë, e cila funksionon në marrëdhëniet me njerëzit,” shtoi ish-deputetja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb