Ish-deputeti Ervin Salianji replikoi sot me kryetarin e PD, Sali Berisha duke iu drejtuar këtij të fundit se është pengesa pse opozita nuk vjen në pushtet. Salianji e quan Berishën si “kambaleci që e mban Ramën në qeveri, pavarësisht se thuajse 70% e qytetarëve janë kundër tij”.
Gjithashtu, Salianji sfidon Berishën duke i përmendur atë që ai e quan “kulla e ortakërisë me Ramën” te Pallati i Kongreseve, ndërsa i drejtohet me pyetjen se pse nuk flet lideri i opozitës për lejen e firmosur nga kreu i qeverisë.
“Dhe meqë ke kaq merak të merresh me budallallëqe për të zhvendosur vëmendjen në ditët më të këqija të Ramës, kam një pyetje: pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol. Dil e fol edhe si i djathtë, në një kohë kur hapësira publike është mbushur me thirrje komuniste të nxitur dhe nga ti si komunisti më i vjetër që je”, thekson ai.
Reagimi i Salianjit
Sali nuk je më opozita por je pengesa që opozita të vijë në pushtet! Sali Berisha duhet të dëgjojë thirrjet e shoqërisë për largimin e tij dhe t’i hapë rrugë rotacionit. Ai është kambaleci që e mban Ramën në qeveri, pavarësisht se thuajse 70% e qytetarëve janë kundër tij.
Ka 7 muaj që demokratët, në takimet e mia, kanë mbushur sallat dhe sheshet duke kërkuar largimin e Berishës, por ai e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po e mban peng për interesa personale. Shkatërroi garën dhe sot sheshin që duhet ta mbushte Partia Demokratike është plot edhe kundër Sali Berishës! Shumica jane demokratë që kërkuan që ti të largohesh!!
Protestuesit po ngrihen kundër autokratit Rama në qeveri dhe autokratit Berisha në parti. Ata duan demokraci, rregulla loje dhe meritokraci, jo parti të mbajtura peng nga individë që i vendosin interesat e tyre mbi ato të demokratëve.
Dhe meqë ke kaq merak të merresh me budallallëqe për të zhvendosur vëmendjen në ditët më të këqija të Ramës, kam një pyetje: pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol.
Dil e fol edhe si i djathtë, në një kohë kur hapësira publike është mbushur me thirrje komuniste të nxitur dhe nga ti si komunisti më i vjetër që je!
