Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka dalë hapur kundër qëndrimit të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me rolin e faktorëve ndërkombëtarë dhe drejtësisë, për atë që opozita ka qëllim të saj primar, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Ndryshe nga Berisha, i cili ka deklaruar në disa dalje publike se Ramën “nuk e largon as SHBA dhe as SPAK”, Salianji theksoi se presioni amerikan, hetimet e drejtësisë dhe energjia e opozitës janë faktorët që do të çojnë në ndryshim politik në vend.

Salianji tha se opozita dhe PD duhet të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-të për të marrë fatet e saj në dorë.

Pjesë nga fjala e Salianjit

Qeveria e ka kapur për fyti Shqipërinë dhe politikën. Rrinë sot të strukur nga drejtësia, një sistem që e ka humbur lidhjen me realitetin, që e ka degraduar politikën dhe shtetin.

Falë punës së SPAK, qeveria po i humb pjesët e saj një dhe nga një. Por drejtësia ngre vetëm akuza, politika i propozon dhe jep zgjidhjet dhe ne do t’i japim zgjidhje. Zgjidhjet kalojnë ose në sheshe dhe në fund në çdo rast në kutitë e votimit dhe aty duhet të frymëzojmë njerëzit.

Prandaj e sotmja është një mesazh për ne se njerëzit presin më shumë, të flasin më qartë, të përfshijnë më shumë njerëz.

Ta dinë që demokratët janë më shumë se anëtarësia se shqiptarët janë më shumë se demokratët, se PD është bërë fituese vetëm kur ka dëgjuar dhe respektuar vullnetin e demokratëve dhe zërin e shqiptarëve. Prandaj e them sërish, PD duhet të hapet, duhet të ripërtërihet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb