Ervin Salianji, në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ka deklaruar se opozita duhet të mbajë marrëdhënie të kufizuara më Kuvendin.
Ai ka shtuar se në ditën e seancës së parë plenare, pra 12 shtatorin, PD duhet të reagojë fuqishëm me protesta.
“Qëndrimi im është që mosnjohja e zgjedhjeve e cila është një dakordësi e të gjithë opinionit publik që është opozitar, që në Shqipëri vullneti i votuesve është deformuar. Qëndrimi im, pas propozimit të kryetarit të partisë pas mosnjohjes së zgjedhjeve, është se PD duhet ta shoqërojë me akte revolte. Pas kësaj vendimmarrje për mosnjohjen e zgjedhjeve duhet të organizojmë që ditën e konstituimit të Parlamentit, protesta dhe revolta të forta si akt për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe për një qeverisje e cila nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve, por nga deformimi i vullnetit të zgjedhjeve dhe nga përfshirja e elementëve të tjerë. Ky është qëndrimi im. Protesta do të ketë”, u shpreh ish-deputeti demokrat.
Ndërkohë, kreu i PD Sali Berisha ka qenë ai që ka deklaruar se deputetët e PD do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, në seancën plenare.
(BalkanWeb)
