Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për kontroll të plotë mbi sistemin e drejtësisë dhe përdorim të tij në mënyrë të njëanshme e politike.
Sipas Salianjit, Rama bën “sikur shqetësohet” për vendime të drejtësisë, vetëm kur ndonjë gjyqtar i rrallë nuk i bindet plotësisht. “Ndërkohë që pasi e ka kapur sistemin, i përdor dhe sillet me prepotencë, duke i trajtuar institucionet e drejtësisë si lecka,” shkruan ai.
Në reagimin e tij, ish-deputeti thekson se shumica dërrmuese e gjyqtarëve nuk sillen si pushtet i pavarur, por si vartës të qeverisë, duke humbur funksionin e tyre si mekanizëm kontrolli dhe balancimi të pushtetit ekzekutiv.
Salianji i konsideron pasojat e kësaj kapjeje të sistemit si të dukshme në realitetin e përditshëm, duke përmendur “batërdinë urbanistike, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin që i ka ushqyer ato”, për të cilat fajëson edhe drejtësinë që, sipas tij, ka mbyllur sytë në shërbim të interesave politike dhe korruptive të qeverisë.
“Drejtësia ka pranuar të përdoret si armë kundër kundërshtarëve dhe si mburojë për klientelën e qeverisë. Për pasojë, ajo degradohet publikisht nga kryeministri dhe ka frikë të reagojë,” shkruan më tej ai.
Në fund, Salianji ngre një pikëpyetje drejtuar komunitetit ndërkombëtar, duke kërkuar një qëndrim të qartë ndaj asaj që ai e quan poshtërim dhe minim të institucioneve nga ana e Ramës. “Qytetarët shqiptarë dhe opinioni publik kanë pritur reagimin e partnerëve ndërkombëtarë: a do të ketë një reagim të fortë kur Rama i godet institucionet e drejtësisë? Apo standardet vlejnë vetëm kur opozita denoncon abuzimet?”, përfundon ai.
Reagimi i Salianjit vjen në një kohë kur debati për pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri është rikthyer në qendër të vëmendjes, në sfondin e përplasjeve politike dhe dyshimeve për ndërhyrje politike në vendimmarrjet e sistemit gjyqësor.
(BalkanWeb)
