Anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji ka artikuluar hapur pakënaqësitë ndaj Sali Berishës, duke theksuar se lidershipi demokrat nuk po dëgjon zërin e anëtarësisë dhe, më e rëndësishmja – shtoi ai, nuk po i përgjigjet nevojës së shoqërisë për ndryshim.

Deklarata e Salianjit vjen teksa ai ka nisur takimet në terren për rifreskimin e PD dhe të aktivizimit të aksionit opozitar.  Ndërsa nga ana tjetër, Sali Berisha iu është rikthyer foltoreve duke zhvilluar deri tani 2 takime me anëtarësinë, te dega 9 në Tiranë dhe në Mirditë.

Debatet e brendshme në PD duket se do të aktivizohen sërish teksa polemikat në distancë tanimë janë të dukshme.

Ervin Salianji: Pakënaqësia që kam unë ndaj kryetarit të PD është që nuk po dëgjon në mënyrën e duhur zërin e anëtarësisë. E dyta dhe më e rëndësishmja, nuk po i përshtatet nevojave të shoqërisë për ndryshim. Anëtarësia voton disa, lidershipi zgjedh disa të tjerë.

Anëtarësia e PD kërkon revoltë, ne bëjmë foltore. Anëtarësia kërkon analizë, ne duam të bindim që zgjedhjet janë të vjedhura, këtu të gjithë janë të bindur që zgjidhet vidhen, por si ta zgjidhim këtë problem.

Ne kemi një analizë të humbjes pse kemi humbur, por kemi një analizë tjetër dhe që nuk e thotë askush; pse nuk analizon PD fitoret? PD ka fituar në 6-7 bashki, pse nuk e bën analizën pse ka fituar.

Avantazhi është përfaqësimi, kandidatët e rinj pa konsum dhe pa pasur mëkate, kandidatë që janë shtyrë dhe zgjedhur nga anëtarësia dhe dakordësi nga e gjithë pjesa e partisë. Të marrim modelin e këtyre zonave dhe ta çojmë në zonat e tjera.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb