Arkitektja Entela Koja, e ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, ka reaguar me tone të forta pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit. Koja ka ngritur shqetësime serioze lidhur me kushtet minimale të sigurisë dhe infrastrukturës së gjykatave në vend.

Sipas saj, salla ku ndodhi ngjarja fatale ishte vetëm 6 metra katrorë , një hapësirë që sipas standardeve të projektimit barazohet me përmasat e një tualeti. “Sallat e drejtësisë duhet të imponojnë autoritet, dhe kjo fillon që nga hapësira që ato ofrojnë. Ato që kemi sot janë nën çdo standard, përfshirë edhe ato të Bashkimit Europian ku synojmë të anëtarësohemi,” u shpreh Koja.

Arkitektja vuri në dukje kontrastin mes projekteve ndërkombëtare, ku punohet me përpikmëri deri në detaje, dhe situatën në vend, ku mungojnë edhe elementët bazë të sigurisë dhe funksionalitetit. “Në Tiranë ka struktura që rrinë bosh, ndërkohë që çështje me rëndësi kaq të lartë zhvillohen në ambiente të papërshtatshme. Kjo është e pafalshme,” shtoi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb