Z. Mane, keni marrë pjesë në aktivitetin më të madh kushtuar risive teknologjike dhe digjitale që organizohet në Evropë, Web Summit. Ishit për të mësuar mbi inovacionet më të fundit apo për të parë për ndonjë start-up ku mendoni të investoni?

Unë si sipërmarrës jam gjithnjë në mbështetje të ideve të reja që mund të krijojnë biznes të dobishëm për shoqërinë por që edhe të krijojnë të ardhura. Gjithashtu, besoj shumë që inovacionet e fundit teknologjike, sidomos në botën digjitale, paraqesin mundësi të mëdha për të investuar. Web Summit që organizohet në Portugali nuk është eventi i vetëm që lidhet me zhvillimet digjitale që unë ndjek. Mundohem që gjatë vitit të përcaktoj një kalendar me disa evente të rëndësishme që lidhen ime inovacionin në mbarë botën e të jem i pranishëm. Kjo më ndihmon të mësoj për zhvillimet më të fundit por edhe “gjuaj” për start-up që paraqesin mundësi të mira investimi dhe kanë nevojë për mbështetje.

Të gjithë flasin për një revolucion digjital. Sa e rëndësishme mendoni se është dhe do të jetë aplikimi i inovacioneve digjitale?

Jemi dëshmitar të disa ndryshimeve madhore dhe të shpejta që po ndodhin në fusha të ndryshme të shoqërisë, rrjedhimisht edhe në biznes. Zhvillimi është aq i vrullshëm sa ndonjëherë bëhet e vështirë ta ndjekësh. Unë mendoj se revolucioni digjital po ja lë vendin revolucionit të inteligjencës artificiale. Shumë shpejt procese të tëra që aktualisht kërkojnë shumë kohë dhe shumë mundim për t’u realizuar do ndihmohen nga inteligjenca artificiale duke fituar shumë kohë dhe duke kursyer resurse. Ky trend po merr përparësi të mëdha në biznes por edhe në sektorin publik të shërbimeve. Përditë shikojmë krijimin e mjeteve të reja të inteligjencës artificiale që po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë.

Përdorimi i zgjidhjeve që ofron inteligjenca artificiale shikohet me skepticizëm nga shumë personalitete ndërkombëtare. Mund të përmend këtu Yuval Noah Harari i cili e shikon si shkatërrues për njerëzimin. Ju si pozicionoheni në këtë diskutim?

Unë e shikoj inteligjencën artificiale si ndihmë për procese apo punë që harxhojnë shumë kohe, që kërkojnë shumë energji dhe shumë mund. Jam mbështetës i përdorimit të inteligjencës artificiale për t’i bërë gjerat më të lehta. Patjetër që do të ridimensionojë shumë aspekte të jetës tonë. Patjetër që disa profesione mund të rrezikohen por po aq e vërtetë është që po krijohen edhe specializime dhe profesione të reja ku kërkohen aftësi të tjera. Ashtu si edhe më parë, njerëzimi ka ditur të përshtatet dhe të përdorë gjithçka që i ofrohet në të mirën e tij.

Nuk duhet të kemi frikë në përdorimin e inteligjencës artificiale. Përdorimi i zgjuar dhe i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë edhe fatet e shumë bizneseve në të ardhmen. Prandaj sa më shpejt të mësohemi me idenë e një ndihme nga inteligjenca artificiale dhe sa më shpejt të mësojmë si ta përdorim në mënyrën e duhur aq më shumë shanse do kemi që të përparojmë.

Z. Mane, ju operoni ne disa tregje rajonale dhe më gjerë, a mendoni se ka ardhur koha që kompanitë shqiptare të kthejnë sytë nga teknologjia që të kthehen në kompani rajonale dhe pse jo edhe globale?

Ka disa tregues për përdorimin e teknologjisë dhe inovacioneve digjitale. Pavarësisht se vendet e rajonit të Ballkanit nuk pozicionohet mirë, ka rritje të konsiderueshme nga viti në vit. Nga takimet që kam me biznesmenë dhe drejtues kompanish nga rajoni mund të them që sektori privat ka interes dhe po investon në këtë drejtim. Do ishte marrëzi që ne ditët e sotme të mos fokusoheshe dhe të mos investoje në teknologji dhe në digjitalizimin e proceseve të ndryshme të një biznesi. Nëse nuk ndjek dot ritmin e vendeve të tjera nuk i përgjigjesh dot as partnerëve ndërkombëtar që janë në një stad të caktuar të përdorimit të zgjidhjeve digjitale dhe e presin edhe nga kompanitë me të cilat ndërtojnë partneritete.

Vendet mesdhetare si Shqipëria preferohen shumë nga nomadët digjital nga vende të ndryshme të botës, sidomos Evropa e veriut. Njoh dy të tillë që janë transferuar bashkë me familjet e tyre në Green Coast. I pëlqen shumë klima, ushqimi dhe ambienti social. Tani ka ardhur momenti që vendi të mos jetë joshës vetëm për individë që operojnë në fushën e teknologjisë, programimit, dhe zhvillimeve digjitale por edhe për kompani. Duhet të ndërtojmë paketa që kompanitë ndërkombëtare të zhvendosin selitë e tyre tek ne. Shqipëria dhe gjithë rajoni duhet të gjejnë një pikë referimi në një shtet që është shumë më përpara në aplikimin e teknologjisë në jetën e përditshme e të mundohen ta ndjekin.

Vetë Grupi BALFIN a po investon në inovacion, në teknologji dhe në digjitalizim?

Grupi BALFIN po investon në dy drejtime përsa i përket inovacionit. Jemi duke punuar me transformimin e proceseve të brendshme të kompanive si edhe po investojmë në start-up teknologjike.

Ka disa vite që kemi nisur rimodelimin e kompanive tona duke rritur përdorimin e teknologjive të reja për digjitalizimin e disa proceseve, një pjesë e të cilave fuqizohen nga inteligjenca artificiale. Për shembull, marketingu ka ndërtuar disa fushata komunikimi duke përdorur imazhe të krijuara krejtësisht nga inteligjenca artificiale. Ndërkohë kemi ndërtuar një ekip të dedikuar për transformimin digjital që po bëjnë një punë të mirë. Kanë sjellë zgjidhje për procese që më parë kërkonin shumë kohë dhe shumë mund. Sot realizohen shumë shpejt dhe në mënyrë me efikase.

Drejtimi i dytë ku ne kemi fokusuar investimet tona ka të bëjë me investimin në start up teknologjike. Për të qenë më konkret, po përmend këtu një prej investimeve tona që lidhet me teknologjinë-mjekësore. Ne kemi investuar te një start-up, Clexbio, që ofron një zgjidhje shumë inteligjente në fushën e mjekësisë. Implantet rigjeneruese që po zhvillon Clexbio do te jenë një revolucion në bio-inxhinieri.

Ne jemi në kërkim të oportuniteteve për të investuar në inovacione që mund të prodhojnë biznes dhe të jenë të dobishme. Gjithashtu duam të mbështesim të rinjtë e të rejat që kanë ide inovatore që ti realizojnë. Inovacioni është në ADN e Grupit BALFIN dhe është pjesë e kulturës sonë si korporatë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb