TEHERAN- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar Rusinë dhe Iranin se një sulm i forcave qeveritare të Sirisë dhe aleatëve të saj në provincën Idlib do të rezultonte me “masakër”. Duke folur në një samit në Teheran ku merrte pjesë presidenti Iranian Hasan Rouhani dhe presidenti rus Putin, Erdogan i cili kundërshton regjimin e presidentit Assad, ndryshe nga Putin dhe Rohani paralajmëroi për pasoja nëse sulmohen grupet rebele ne Idlib.
“Çdo sulm i nisur apo që do të nisë në Idlib do të rezultojë me katastrofë, masakër dhe tragjedi të madhe humanitare. Ne nuk duam asnjëherë që Idlbi të kthehet në zonë të përgjakur. Nëse njoftojmë për armëpushim sot, unë besoj se do të jetë një nga hapat më të mëdhenj të këtij samiti. Kjo do të qetësonte civilët. Mendoj se një njoftim i tillë do të jetë fitore për samitin”, tha ai.
Presidenti i Iranit Rohani deklaroi se luftimet në Siri do të vazhdojnë derisa të gjithë ekstremistët të largohen, sidomos nga Idlibi, por sipas tij në betejë nuk duhet të dëmtohen civilët.
Putin nga ana tjetër deklaroi se Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad “ka të drejtë të fitojë kontrollin e gjithë territorit kombëtar”. Ai kundërshtoi thirrjet e Erdoganit për armëpushim, duke thënë se rebelët nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve andaj armëpushimi nuk mund të bëhet ne emër të tyre.
Të tre liderët u takuan për të diskutuar situatën në veriperëndim të provincës siriane, në kohën kur po pritet që një ofensivë qeveritare mund të rezultojë me numër të madh të viktimave dhe katastrofë humanitare. Në Idlib jetojnë rreth 3 milionë civilë, pasi rreth gjysma e tyre janë zhvendosur aty nga zonat tjera të Sirisë.
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë paralajmëruar se ato do të veprojnë nëse Assad përdor armë kimike në sulmin e tij në Idlib, ashtu siç dyshohet të ketë bërë në betejat për të fituar kontrollin e pjesëve tjera të shtetit.
(BalkanWeb)