Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Marco Rubio, vetëm disa ditë përpara takimit midis presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump, tha Moska të martën.

Dy diplomatët më të lartë diskutuan “aspekte të caktuara” të samitit të ardhshëm dhe konfirmuan se të dyja palët duan një rezultat të suksesshëm, thuhet në një deklaratë nga ministria ruse. Moska nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me telefonatën. Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar deri më tani.

Takimi i shumëpritur midis udhëheqësve rusë dhe amerikanë është planifikuar të zhvillohet më 15 gusht. Trump dhe Putin pritet të diskutojnë personalisht zgjidhjen e mundshme të konfliktit midis Moskës dhe Kievit dhe një sërë çështjesh dypalëshe për herë të parë që kur presidenti i SHBA-së mori detyrën në janar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb