Gazetari dhe analisti Genc Burimi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 ka komentuar samitin e Diasporës të mbajtur në Shqipëri së fundmi, ku u shpreh se në këtë event nuk u tha asgjë për votën e emigrantëve shqiptarë.

Burimi argumentoi se Rama nuk ka bërë asgjë në 10 vite të qeverisjes së tij për të realizuar mundësinë e votës për emigrantët.

Sipas tij kjo mund të kategorizohet si një paaftësi e Shqipërisë ose si frikë e Ramës pasi vota e diasporës nuk mund të manipulohet si në Shqipëri.

Sa i përket situatë së opozitës, Burimi u shpreh se kësaj të fundit i duhet një tjetër zgjidhje, ndërsa shtoi se populli duhet të mobilizohet sa i përket marrëveshjes për strehimin e emigrantëve me Italinë.

Sipas tij opozita duhet të kërkojë mbajtjen e një referendumi, ndërsa propozoi se kjo e fundit duhet të shkojë deri në grevë urie në Parlament lidhur me këtë çështje.

“Çfarë u tha për votën e diasporës në këtë samit? Përmbajtja e këtij samiti është tërësisht bosh. Aftësia e Ramës është të kthejë një dështim të shitet si sukses. Nuk ka arritur në 10 vite që të realizojë votën e emigrantëve, diçka që e ka çdo shtet evropian.

Cila është sot, jo kërkesa por lidhja që duhet të ekzistojë mes personave në një shtet dhe bashkëkombësve jashtë vendit, është vota. Në 10 vjet Edi Rama nuk ka bërë një gjë kaq themelore. Kërkon të mbushë hapësirën me shoë duke ngritur një muze për arbëreshët.

Nuk e di sa aftësi kërkon kjo, por kjo tregon një paaftësi për të bërë diçka që ka bërë Kosova, Serbia, Rumania, etj. Ose është paaftësi, ose ai ka frikë se vota e diasporës nuk mund të manipulohet si vota në Shqipëri.

Opozitës i duhet një tjetër zgjidhje. Populli duhet të mobilizohet. Problemi i emigrantëve është tepër sensitiv dhe prek çdo shqiptar sa i përket emigrantëve që do strehohen në vend. Këta njerëz do jenë rrugëve të vendit dhe do shtohen çdo muaj.

Opozita duhet të kërkojë mbajtjen e një referendumi, deri në grevë urie të shkojë në parlament për të kërkuar referendum lidhur me marrëveshjen e refugjatëve me Italinë”, u shpreh ai mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb