Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk pranoi të nënshkruante një deklaratë të përbashkët të udhëheqësve për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Moskës.
Vuçiç deklaroi para mediave serbe, se nënshkrimi i deklaratës antiruse, siç e cilësoi ai, nuk ishte diçka e thjeshtë për Serbinë.
Vuçiç tha se pavarësisht se mori pjesë në samitin për Ukrainën, ai nuk e tradhtoi Rusinë.
“Isha i vetmi që nuk pranova Deklaratën, ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë në samit që janë gati të pranojnë gjithçka që iu udhëzohet kundër Rusisë,” nënvizoi presidenti serb.
Vizita e Vuçiç në Ukrainë, e para që zhvilloi në atë vend që kur mori detyrën e presidentit të Serbisë rreth një dekadë më parë, u zhvillua pasi shërbimi rus i inteligjencës së jashtme akuzoi kompani serbe të prodhimit të armëve se po përpiqeshin t’i ngulnin një thikë pas shpine Rusisë, duke i shitur municione Kievit.
(BalkanWeb)
