Po presim me padurim zhvillimin e Kongresit Botëror të Telefonave 2015, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Barcelonë. Në këtë ngjarje ne do të mund të shohim disa pajisje nga kompani si Samsung apo HTC. Pritet që Samsung të prezantojë telefonat inteligjentë Galaxy S6 dhe Galaxy S Edge. Deri tani janë shfaqur shumë informacione mbi specifikat e harduerit të të dyja pajisjeve. Lajmet më të fundit vijnë nga uebsajti indian Zauba, i cili zbulon se dy njësi të telefonit po testohen në këtë shtet. Njësitë mbajnë modelin me numër SM-G920A dhe kanë ekran 5 inç. Nëse kjo foto është e vërtetë, atëherë mund të themi se ekrani i pajisjes do të jetë 0.1 inç më i vogël se paraardhësi i tij. Samsung Galaxy S6 thuhet se do të ketë ekran 5 inç Quad HD Super AMOLED, procesorin Exynos 7420 64-bit me tetë bërthama, 3GB RAM, 32GB hapësirë të brendshme, kamerë 20 megapikselë që regjistron video me rezolucion 4K, kamerë ballore 5 megapikselë dhe lidhjen LTE Cat.10.
(os.de/BalknWeb)
